Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar institucionet e Kosovës, duke thënë se 44 ditë pas dënimit të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shteti ende nuk ka një plan konkret për mbrojtjen e historisë dhe të së vërtetës së luftës së UÇK-se.
Përmes një reagimi, Musliu-Shoshi ka theksuar se institucionet nuk kanë hartuar as strategji, as platformë dhe as buxhet për këtë çështje.
Ajo ka vlerësuar se historia e UÇK-së nuk mund të mbrohet vetëm përmes deklaratave patriotike apo grupeve të punës, por kërkon veprime konkrete institucionale, diplomaci dhe planifikim financiar.
“Historia e UÇK-së nuk mbrohet me deklarata patriotike, as me grupe pune në letër! Mbrohet me veprime, me diplomaci, me strategji dhe me buxhet!”, ka shkruar ajo.
Musliu-Shoshi ka kritikuar atë që e ka cilësuar si braktisje institucionale të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se çdo ditë e kaluar pa veprime konkrete e thellon këtë gjendje.