Policia e Kosovës ka publikuar letrën që ish-drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha, i ka nisur kryeministrit Kurti, bashkë me dorëheqjen e tij.
Duke përmendur rastet me të cilat është ballafaquar që nga marrja e detyrës, Hoxha ka falënderuar Kurtin për besimin e dhënë.
Kjo është letra e plotë:
I nderuar Kryeministër,
Përmes kësaj shkrese dëshiroj t’ju falënderoj për besimin e dhënë për të drejtuar Policinë e Kosovës gjatë këtyre viteve, që nga fillimi i muajit mars të vitit 2023 e deri më tani, për një periudhë prej pothuajse katër vjeçare.
Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës dhe unë, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, jemi përballur me sfida të shumta të sigurisë, duke filluar nga kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe shtetërore, cenimi i integritetit territorial, sfidimi i autoritetit të institucioneve nga strukturat ilegale në veri të vendit dhe paligjshmëria shumëvjeçare në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Këto sfida përfshijnë operacionet kundër targave ilegale, laboratorëve të drogës dhe fermave të kriptovalutave, largimin e barrikadave ilegale, sfidimin e pranisë policore në veri nga organizatat ilegale terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, deri te dorëheqjet masive të zyrtarëve policorë të komunitetit serb.
Përkundër këtyre sfidave, kemi arritur të marrim nën kontroll stacionet policore në veri, të garantojmë praninë dhe funksionimin e Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, të organizojmë me sukses zgjedhjet lokale në komunat veriore dhe të sigurojmë marrjen nën kontroll të objekteve komunale më 26.05.2023.
ReklamëPo ashtu, Policia e Kosovës u përball me sukses me sulmin në komunën e Zveçanit më 29.05.2023, si dhe me operacionin kundër grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24.09.2023, ku Policia e Kosovës dëshmoi profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri në mbrojtje të rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.
Një tjetër sukses i rëndësishëm ishte menaxhimi, hetimi dhe arrestimi i personave të dyshuar për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, duke kontribuar në zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka shënuar suksese të shumta edhe në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit, krimeve kibernetike, mashtrimeve me kriptovaluta dhe formave të tjera të kriminalitetit të rëndë.
Siguria publike ka qenë një ndër sukseset më të rëndësishme të Policisë së Kosovës në vitet e fundit. Këtë nuk e dëshmojnë vetëm vlerësimet tona institucionale, por edhe hulumtimet dhe vlerësimet e mekanizmave ndërkombëtarë, sipas të cilave Kosova renditet ndër vendet më të sigurta në kontinentin evropian dhe e treta në botë, në renditje e tillë nuk ishte arritur asnjëherë më parë.
ReklamëPo ashtu, Kosova vazhdon të shënojë rezultate të rëndësishme në uljen e aksidenteve me fatalitet në komunikacion, duke u dalluar në rajon, bazuar në raportet evropiane për sigurinë rrugore gjatë dekadës së fundit.
Një ndër arritjet tona të rëndësishme institucionale është zbatimi me sukses i dy strategjive bashkëkohore të policimit. Strategjia e policimit në bashkësi dhe strategjia e policimit të udhëhequr nga inteligjenca policore. Nga viti 2020 deri me sot jane ngritur kapacitetet grumbulluese dhe analitike te inteligjencës kriminale duke u gjashtëfishuar numri raporteve intelegjente të pranuara, analizuara, trajtuara dhe operacionalizimi i tyre.
Po ashtu, është shumëfishuar numri i produkteve analitike, të cilat kanë ndihmuar në procesin e vendimmarrjes, rritjen e efikasitetit operacional, luftimin e formave të krimit të organizuar, menaxhimin e situatave të ndërlikuara të sigurisë në veri të vendit dhe përballjen me sulmet hibride të shërbimeve armiqësore ndaj shtetit tonë.
Sot, Kosova ka më pak vrasje, më pak krime të rënda, më pak grabitje dhe më shumë siguri për të gjithë qytetarët e saj.
ReklamëMegjithatë, dhuna në familje mbetet një fenomen thellësisht shqetësues për ne, për të gjitha institucionet e drejtësisë dhe për shoqërinë tonë në tërësi. Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, vlerësoj se nevojitet një qasje shumë më e koordinuar ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Shërbimet Sociale, Gjykatat dhe organizatat joqeveritare, pasi sistemi aktual nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe efikasitetit.
Andaj, duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës. Këtë vendim e marr me bindjen se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale. Ajo nënkupton edhe përgjegjësinë për të garantuar që institucioni që drejtojmë të ruajë standardet më të larta të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit, besoj se ndonjëherë përgjegjësia morale kërkon vendime të vështira. Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies. Kjo dorëheqje nuk është braktisje e Policisë së Kosovës. Është një mesazh se institucionet tona duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi publik duhet të mbrohet me përgjegjësi të vërtetë.
Këtë vendim e marr me përgjegjësi të plotë, duke qenë i vetëdijshëm për peshën e detyrës që kam ushtruar dhe për përgjegjësinë që bart ky institucion ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
PËRMBLEDHJE E REZULTATEVE NË HETIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS, LUFTIMIN E FAJDESË DHE RASTET “ËHITE STAR” / “SKYECC”
ReklamëKrahas rezultateve të përmendura më lart, në vijim paraqiten të dhënat për disa prej hetimeve dhe operacioneve të rëndësishme të Policisë së Kosovës, përfshirë hetimin e krimeve të luftës, luftimin e fajdesë dhe rastet “ËHITE STAR” / “SKYECC”.
HETIMI I KRIMEVE TË LUFTËS
Në vitin 2023, struktura për hetimin e krimeve të luftës, e cila deri atëherë funksiononte si sektor, u ngrit në nivel drejtorie.
Gjatë periudhës 2023–30 tetor 2026, nga 305 informata, janë marrë nga Prokuroria 163 autorizime për fillimin e hetimeve, janë hetuar 63 raste të reja dhe janë iniciuar 66 kallëzime penale kundër 745 personave të dyshuar. Si rezultat, janë arrestuar 62 persona.
Puna e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës ka rezultuar gjithashtu në gjetjen e 62 trupave dhe 14 pjesëve kockore.
LUFTIMI I FAJDESË
Për trajtimin me prioritet të veprave penale të fajdesë, Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës formuan një ekip të posaçëm hetimor. Ekipi u ngarkua me trajtimin e informacioneve dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore në të gjithë vendin, me fokus të veçantë në rastet ku dyshohet për përfshirjen e grupeve kriminale apo të personave me rrezikshmëri të lartë.
Nga konsolidimi i ekipit në maj 2024 deri në periudhën e raportimit, janë arrestuar 79 persona të dyshuar për fajde dhe vepra të tjera penale. Janë realizuar 40 operacione policore, gjatë të cilave janë kontrolluar rreth 90 objekte banimi dhe objekte përcjellëse.
Në kuadër të këtyre operacioneve janë sekuestruar vetura, para dhe pasuri të tjera të personave të dyshuar, me vlerë të përgjithshme të përafërt prej 8 milionë eurosh.
RASTET “ËHITE STAR” / “SKYECC”
Në kuadër të rasteve “ËHITE STAR” / “SKYECC”, janë arrestuar 37 persona.
Gjatë veprimeve hetimore, në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 153.560 euro, 49 armë të ndryshme, 2.026 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 13.000 euro të dyshuara si të falsifikuara, 76 vetura dhe 39 orë dore të markave të shtrenjta.
Pasuritë e paluajtshme të evidentuara në të dhënat përmbledhëse përfshijnë 20 banesa, pesë depo, 12 garazhe, katër lokale, gjashtë shtëpi, dhjetë pyje, 170 parcela dhe një hotel, me vlerë të përafërt prej 49,8 milionë eurosh.
Gjithashtu, janë ngrirë 47 llogari bankare, me vlerë të përgjithshme prej 1.501.057,94 eurosh. Janë evidentuar edhe procedura ngrirjeje në vijim për shtatë banesa, pesë garazhe dhe dy depo, me vlerë të përafërt prej 1 milion eurosh.
Sipas përditësimeve të mëtejshme, janë sekuestruar 11 vetura të vjetra të tipit “Old-Timer” dhe një veturë Porsche, me vlerë të përbashkët të përafërt prej 147.000 eurosh, si dhe një veturë Audi A6, e vitit 2020, me vlerë të përafërt prej 25.000 eurosh. Gjithashtu, janë ngrirë dy banesa, tre garazhe dhe dy depo, me vlerë të përgjithshme prej 249.300 eurosh.
Gjatë muajit maj janë ngrirë dy llogari bankare me vlerë të përafërt prej 156.000 eurosh. Përditësimet përfshijnë gjithashtu ngrirjen e një parcele dhe të një objekti afarist hotelier në ndërtim, me vlerë të përbashkët të përafërt prej 700.000 eurosh. Në gusht 2026 janë ngrirë edhe dy banesa të personit të dyshuar me inicialet O.V., me vlerë të përbashkët të përafërt prej 230.000 eurosh. Sipas të dhënave përmbledhëse të raportuara për këto raste, vlera e përgjithshme e sekuestrimeve, konfiskimeve dhe ngrirjeve të pronave dhe llogarive bankare është 53.974.918 euro.
Gjatë kësaj jave kam marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare të shefave të policisë nga e gjithë bota dhe, në momentin e kthimit në Kosovë, kam marrë vendimin për të dhënë dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Në përmbyllje, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim të sinqertë për të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës, të cilët, me profesionalizëm, integritet, përkushtim dhe sakrificë, i kanë shërbyer vendit dhe qytetarëve. Guximi, disiplina, përgjegjshmëria dhe respektimi i ligjit dhe i të drejtave të njeriut, të dëshmuara edhe në rrethana të vështira e përballë rreziqeve të përditshme, përbëjnë themelin e besimit të publikut në institucionin tonë. Rezultatet e arritura janë fryt i punës suaj të palodhshme, bashkëpunimit dhe ndjenjës së lartë të detyrës. Mirënjohje të veçantë u shpreh familjeve tuaja për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa me respekt të thellë kujtoj kolegët që kanë rënë në kryerje të detyrës, sakrifica e të cilëve mbetet pjesë e përhershme e kujtesës dhe e nderit të Policisë së Kosovës.
Me respekt,
Kolonel Gazmend HOXHA
Drejtor i Përgjithshëm i Policise