Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është proceduar për në Zyrën e Kryeministrit.
Gërvalla e ka bërë të ditur këtë përmes një videoje të publikuar nga zyra e saj, ku shihet bashkë me anëtarë të kabinetit.
Në video, njëra prej punëtoreve ia sjell Gërvallës dokumentin e Ligjit për Byronë, të cilin ajo më pas e nënshkruan.
Pas nënshkrimit, Gërvalla i drejtohet njërit prej anëtarëve të stafit, duke e pyetur: “Naser, a pe dërgon në Zyrën e Kryeministrit?”
“Nuk ka rrugë tjetër. Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet dhe do ta jetësojmë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese më 26 qershor 2024, pas kërkesës së PDK-së për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij.
Gjykata kishte konstatuar shkelje kushtetuese në disa dispozita të ligjit, duke vlerësuar se çështjet e ngritura lidheshin, ndër të tjera, me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, zbatimin retroaktiv të ligjit dhe kompetencat mbikëqyrëse të Kuvendit ndaj agjencive të pavarura.
Me pesë vota për dhe katër kundër, Kushtetuesja kishte vendosur që Ligji nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të shpallej i pavlefshëm në tërësinë e tij.