×
  • Lajme
  • Lajme

    Ndërkombëtarët kërkojnë nga Serbia lirimin e menjëhershëm të tre policëve të kidnapuar të Kosovës

    Reporteri
    18 Qershor 2023 | 9:06

    Të mërkurën e 14 qershor tre patrullues kufitar të Policisë së Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe në fshatin Bare në veri. Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, poashtu edhe Gjermania gjatë ditës së djemshme kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre nga Serbia,shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Mirëpo, Serbia ka thënë se tre policët e Kosovës u “arrestuan” brenda territorit të tyre.

    Departamenti amerikan i Shtetit, i bëri thirrje për herë të dytë dje pasdite presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij që “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.

    Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha në një deklaratë se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të pabaza, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.

    “I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të pabaza ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet në deklaratë.

    SHBA gjithashtu bën thirrje nga të dy palët që të kthehen pa vonesa në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

    “Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.

    Kërkesë për lirim të pakushtëzuar të zyrtarëve policorë kosovarë kërkoi dje edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë.

    Dy vendet duhet “të bëjnë menjëherë gjithçka që munden për të qetësuar këtë situatë të pasigurt”, tha Annalena Baerbock në Berlin të premten përpara një takimi me homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Elmedin Konakoviq. Si “një nga hapat e parë” drejt qetësimit të situatës, Baerbock i bëri thirrje Serbisë që “pa kushte” të lirojë tre policët kosovarë të kidnapuar nga autoritetet serbe

    Edhe deputeti gjerman, Andreas Schwarz, ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë të rrëmbyer më 14 qershor.

    Përmes një reagimi në Twitter, Schwarz ka thënë se në këtë mënyrë situata në veri të vendit të cilën e ka quajtur shqetësuese, mund të përshkallëzohet.

    “Situata e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese. Njësitë e KFOR-it janë dislokuar këtu, duke përfshirë Bundeswehr-in tonë! Presidenti Vuçiq duhet të organizojë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer për të de-përshkallëzuar situatën”, ka shkruar deputeti i Bundestagut gjerman.

    Lirim të menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të kidnapuar më 14 qershor, Serbisë i ka kërkuar edhe Britania e Madhe.

    “Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor”, tha gjatë ditës së djeshme qeveria britanike.

    E njëjta kërkoi që Kosova e Serbia të shmangin veprimet e njëanshme, të kenë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet.

    “Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në reagimin e qeverisë britanike.

    Gjykata e Lartë në Kralevë të premten ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre zyrtarëve policorë të Kosovës të cilët u rrëmbyen dy ditë më parë brenda territorit të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!