Komisioni hetimor parlamentar i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive politike, do të mbajë nesër, në orën 11:30, mbledhjen e parë lidhur me hetimin e rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Pjesë e këtij komisioni është edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, e cila ka thënë se qëllimi është të shqyrtohen të gjitha rrethanat që i paraprinë vrasjes dhe të identifikohen eventualisht pengesat në punën e institucioneve.
“Do të duhet të konfirmojmë të gjitha rrethanat që i kanë paraprirë vrasjes së Arlindës. Numri i vrasjeve të grave tona është shumë i madh dhe kjo tregon se ne, si shoqëri në tërësi, kemi probleme me të cilat duhet të përballemi”, ka deklaruar Rexhepi në Klan Kosova.
Ajo ka bërë të ditur se mbledhja e nesërme do të jetë takimi i parë i komisionit hetimor parlamentar, i cili kryesohet nga Burim Ramadani.
“Do të japim maksimumin tonë që të shohim se si po shkon hetimi lidhur me rastin e Arlindës dhe të kuptojmë nëse institucionet, ndoshta diku, janë bllokuar në këtë proces”, është shprehur Rexhepi.
Komisioni u themelua me 29 tetor
Kuvendi e themeloi komisionin më 29 tetor, me 90 vota për, duke i dhënë mandat maksimal gjashtëmujor për hetimin e përgjegjësive institucionale.
Komisioni përbëhet nga 11 deputetë dhe drejtohet nga Burim Ramadani i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Zëvendëskryetar është Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes.
Nga Vetëvendosje, anëtarë janë edhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. PDK-ja përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani.
Nga LDK-ja është Doarsa Kica-Xhelili, ndërsa pjesë e komisionit janë edhe Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi, si përfaqësuese të komuniteteve.
Hetimi do të shqyrtojë edhe mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, përtej rrethanave të vrasjes së Zekajt.
Komisioni mund të kërkojë dokumentacion, informacione dhe dëshmi nga personat përgjegjës, për të identifikuar dështimet në zinxhirin institucional.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen është arrestuar autori, ish-kunati i saj, ndërsa viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje.