Senatori amerikan Chris Murphy, 53-vjeçar, është shtruar në spital pasi ka pësuar një goditje në tru, ka njoftuar zyra e tij të dielën.

Shefja e stafit të tij, Allison Herwitt, bëri të ditur se Murphy pritet të shërohet plotësisht dhe se po reagon mirë ndaj trajtimit.

Ai fillimisht kishte ndier mpirje në krah, derisa ndodhej në një ndeshje hokeji të djalit të tij, dhe më pas ishte dërguar në spital.

Reklamë

Murphy është një nga figurat e njohura të Partisë Demokratike amerikane dhe përmendet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Ai ka vizituar Kosovën edhe në maj të vitit 2023, kur ishte pjesë e një delegacioni kongresional amerikan. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ishte takuar me presidenten e atëhershme Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Glauk Konjufca. Në fokus të diskutimeve kishin qenë marrëdhëniet Kosovë–SHBA dhe dialogu Kosovë–Serbi. /Gazeta Express