Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se nga sot aplikimi për herë të parë për lejeqëndrim në Republikën e Kosovës mund të bëhet online, përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Sipas Sveçlës, ky shërbim i ri është pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike dhe synon të lehtësojë procedurat administrative për shtetasit e huaj që aplikojnë për lejeqëndrim në Kosovë.
Ai bëri të ditur se përmes këtij sistemi, aplikimi do të jetë më i shpejtë, më i thjeshtë dhe më efikas.
Megjithatë, ministri theksoi se aplikimi online mund të bëhet vetëm nga brenda territorit të Republikës së Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Përmes këtyre reformave, po vazhdojmë modernizimin e shërbimeve publike, me synimin për një administratë më efikase, më të qasshme dhe në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ministri në Facebook.