×
  • Lajme
  • Lajme

    NISMA u merr para nga rrogat zyrtarëve publikë, i quan “donacione”

    Reporteri
    10 Prill 2019 | 15:52

    Nisma Socialdemokrate është kritikuar së fundmi mjaft ashpër për punësimet politike por edhe familjare nëpër institucionet publike.


    Së fundmi bujë bënë punësimet në PTK, mirëpo një gjë e tillë kishte marrë dhenë edhe kur kjo parti kishte mbushur ministritë që udhëheqë me militantë partiakë, shkruan Reporteri.net.

    Mirëpo, përveç që i rehatoi si militantë dhe familjarë, Nisma Socialdemokrate po ua sheh hajrin të punësuarve edhe për një gjë tjetër. Ata, në një formë, “detyrohen” që nga rrogat e tyre të ndajnë një pjesë për partinë që i futi në punë.

    Një dokument i siguruar nga Reporteri.net tregon një komunikim në mes të partisë dhe zyrtarë ministrorë, ku kërkohet që paratë të derdhen në llogarinë e partisë në formë donacioni, tre numrat e fundit të të cilës Reporteri.net i fsheh për arsye profesionale.

    Dokumenti ku tregohet korrespodenca e e-mailit i drejtohet ministrit Shyqiri Bytyqi, dhe u kërkohej në mënyrë të hapur këshilltarëve që të bëjnë marrëveshje individuale me bankën që “donacioni” që realizohet automatikisht.

    “Të nderuar, luten që këtë email të ia përcjellni Ministrit. Llogaria rrjedhëse e Partisë është: NLB 170 800 16000 54***, luten që secili prej Këshilltarëve tuaj Politik të bëjnë marrëveshje individuale me Banken në të cilën ju del paga mujore qe transferi të kryhet në mënyrë elektronike. Ky transfer duhët të kryhet në formë Donacioni”, thuhet në e-mail.

    Reporteri.net ka mësuar se një të tillë “marrëveshje” me Nisman janë shtyrë ta bëjnë edhe zyrtarët e tjerë, të cilët janë punësuar me ndikimin e kësaj partie.

    E kjo e fundit, ka heshtur rreth kësaj teme. Ani pse Reporteri.net ka pritur një javë për të marrë përgjigjen e partisë, kjo gjë nuk ka ndodhur. Madje, përgjigje nuk ka kthyer as Vjollca Xhota, e-maili i të cilës figuron si adresuese e mesazhit ku është kërkuar dhurimi i donacionit.

    Sidoqoftë, Nisma e Limajt shquhet për punësim të militantëve, madje në zgjedhjet e fundit ishte dhënë premtimi se nga çdo familje do të punësohet nga një person, ani pse krerët e Nismas kanë punësuar nga disa të tillë, siç është rasti i Jakup Krasniqit./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!