×
  • Lajme
  • Lajme

    Një afgan u gjet i vdekur në Ibër, po mbahet në morg prej 6 muajsh

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 16:43

    Autor: Shkumbin B. Kajtazi 


    Saktësisht gjashtë muaj më parë ekipi i Mjekësisë Ligjore ka kryer obduksionin për një trup i cili u gjet i vdekur në lumin Ibër, në pjesën që i takon Komunës së Leposaviqit.


    Ai trup rezultoi të jetë i një afgani që ishte si emigrant në Qendrën e Emigracionit në Lipjan, shkruan Reporteri.net.

    Se trupi është i një afgani, e konfirmoi për Reporterin, shefi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili tregoi po ashtu se trupi vazhdon të qëndrojë në Morg prej gjashtë muajsh.

    “Rasti në fjalë është bërë autopsi me datë 11.10.2018.Trupi është ende tek ne në morg dhe nuk është tërhjekur asnjëherë”, ka thënë Gërxhaliu.

    Reporteri.net, ndërkohë, ka biseduar me prokurorin e rastit, Sahit Tmava. Ai nuk ka pranuar të jap detaje për rastin, duke thënë se “mund të vini në Prokurori nëse iu intereson diçka”.

    Ndërkaq, nga burime brenda Policisë së Kosovës, gazeta ka mësuar se afgani që gjeti vdekjen në brigjet e Ibrit dyshohet që kishte tentuar të largohej nga Kosova. Sipas tyre, vetura me të cilën po lëvizte ai e që kishte targa “KM”, të cilat i bartin serbët e veriut, ishte vjedhur nga ai.

    Gazeta ka hulumtuar për raportet e Policisë rreth kësaj ngjarjeje, mirëpo nuk është gjetur asnjë raportim për gjetjen e trupit në datat kur është gjetur dhe kryer obduksioni.

    Sidoqoftë, mjeku ligjor ka sqaruar se në raste të tilla shteti kosovar nuk është përgjegjës që të merret me viktimën. Sipas tij, kur ndodhë të ketë viktimë që i takon ndonjë shteti tjetër, ambasadat e atij vendi e tërheqin trupin.

    “Zakonisht ambasadat e vendeve prej nga vijnë viktimat e tërheqin trupin”, ka shtuar Gërxhaliu.

    Mirëpo, meqë Afganistani nuk ka ambasadë në Kosovë, trupi i këtij shtetasi të tyre që ishte emigrant, pas morgut mund të mbetet edhe më gjatë këtu, pasi ai duhet të varroset.

    Me ligjin në fuqi, afgani që u gjet i vdekur para disa muajsh, së shpejti do të përcjellet për tek varrezat e Prishtinës, ku do të varroset nga Mjekësia Ligjore së bashku me Ndërmarrjen Publike “Hortikultura”, e cila ka në përgjegjësi kryerjen e shërbimeve dhe mirëmbajtjen e varrezave. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!