×
  • Lajme
  • Lajme

    Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Marmull të Gjakovës

    Reporteri
    14 Mars 2019 | 12:25

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Alfred Gjugjës, i dyshuar për vrasjen e Tunë Bezhit dhe plagosjen e një personi tjetër. Ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje në fshatin Marmull të Gjakovës.


    Alfred Gjugja po dyshohet për tre vepra penale “vrasje e rëndë”, “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, shkruan Reporteri.net.

    Vrasja dhe plagosja po dyshohen se kanë ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje pronësore.

    Ky është njoftimi i plotë i gjykatës:

    Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.Gj. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale të parapara me Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    I pandehuri A.Gj. dyshohet se më 12 mars 2019 rreth orës 18:30 në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin T.B. dhe ka rrezikuar jetën e personave tjerë të pranishëm A.N., Z.K. dhe L.B., ku si shkak i këtyre veprimeve dyshohet të jetë një mosmarrëveshje pronësore që i ndjeri T.B. kishte me të pandehurin.

    Vrasja në Gjakovë: I dyshuari një herë e pranoi se kreu krimin, më pas “mbylli gojën”

    Po ashtu i pandehuri A.Gj. dyshohet se i shkaktoj lëndime të rënda trupore të dëmtuarit A.N. në atë mënyrë që i dëmtuari A.N. me qëllim që ta ndaloj të pandehurin, i del përpara me ç’rast i njëjti shkrep një plumb në drejtim të të dëmtuarit duke e goditur në këmbën e majte dhe pasi i dëmtuari rrëzohet në tokë e sulmon me kondak të pushkës në kokë duke i shkakton lëndime të rënda trupore.

    Me këto veprime dyshohet se i pandehuri A.Gj. ka kryer tri vepra penale, vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5, veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 189 paragrafi 5 dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 12 mars 2019 dhe do të zgjasë deri më 11 prill 2019.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë dhe e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!