×
  • Lajme
  • Lajme

    Njëra prej grave thotë se nga Siria kishte provuar të kthehej edhe më parë por s’kishte arritur

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 19:02

    Fortesa Mehmeti, avokate e një prej grave të kthyera nga Siria, ka thënë se e mbrojtura e saj ka qenë e mashtruar nga burri i saj, dhe si pasojë e rrethanave të luftës nuk ka mundur të kthehet nga atje, ani pse kishte vullnet për t’u kthyer në Kosovë, shkruan Reporteri.net.


    Pas seancës dëgjimore, Mehmeti deklaroi para gazetarëve se klientja e saj e ka mbajtur sot seancën e parë dëgjimore. Ajo bëri të dikur se ka kërkuar që ndaj saj të caktohet masë më e butë, e jo arrest shtëpiak.

    “Klientja ime ka qenë prej vitit 2014 atje, ajo ka qenë si gjitha të tjerat, në një farë forme mendoj që ka qenë e mashtruar nga ana e bashkëshortit dhe ka shkuar atje, mirëpo rrethanat e luftës, presioni i vazhdueshëm nuk ka mundur të kthehet më, shyqyr Zotit tash gëzon lirinë, shohim tutje çfarë do të vendosin organet e rendit”, tha ajo.

    Ajo tha se klientja e saj ka tentuar të kthehet edhe më herët, por ka qenë e pamundur.

    Ndërkohë tha se burri të dyshuarës mendohet të jetë i zhdukur, apo i vrarë.

    Por jo veç kjo grua por edhe disa të tjera të kthyera nga Siria fajin për shkuarjen në luftë ua kanë hedhur burrave të tyre.

    Siç ka raportuar të hënën Gazeta Online “Reporteri.net” gratë e riatdhesuara nga Siria kanë deklaruar se burrat e tyre i kanë mashtruar se do t’i çonin në vendet perëndimore, e jo në Siri.

    Kryesisht, ato kanë përmendur Gjermaninë si cak të shkuarjes, në momentin kur ishin larguar nga Kosova, disa para katër e të tjera para tre vitesh.

    Sipas tyre, tek kur kanë arritur në Siri e kanë kuptuar se ku ndodhen në të vërtetë. Ato, kanë deklaruar se prej fillimi gratë janë mbajtur në kampe të caktuara në Siri.

    Kujtojmë se gjykata sot vendosi arrest shtëpiak për 18 gratë e kthyera nga Siria.Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

    Reporteri.net ka raportuar të premten ekskluzivisht për operacionin e kthimit të 110 kosovarëve nga kampet e luftës siriane – përshirë këtu edhe katër luftëtarë të ISIS-it të cilët tashmë ndodhen në paraburgim.

    Siç ka raportuar Gazeta Online “Reporteri.net”, operacioni i kthimit të këtyre kosovarëve në vendlindje është kryer me një avion ushtarak të SHBA-ve, që të premten rreth orës 23:00 ateroi nga Stambolli në Prishtinë.

    Ndryshe, prej vitit 2012, të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 400 kosovarë i janë bashkuar vatrave të luftës në Siri e Irak, përkrahë organizatave terroriste ISIS e Al-Nussra. Rreth 80 prej tyre raportohet të jenë vrarë. Një pjesë e tyre janë kthyer në Kosovë. Ndërkohë se njoftohet se 30 luftëtarë nga Kosova vazhdojnë të qëndrojnë aktivë në ISIS, krahas 49 grave dhe tetë fëmijëve tjerë kosovarë që kanë mbetur ende në disa kampe siriane. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!