×
  • Lajme
  • Lajme

    Nuk e pengon as taksa: Nusja e vëllait të presidentit Thaçi i blen vellot e dasmës tek një kreator serb

    Reporteri
    13 Prill 2019 | 18:11

    Edona Ahmeti, nusja e djalit të vëllait të presidentit Hashim Thaçi, javën e kaluar i ka dhënë fund beqarisë. E në natën e saj të martesës ajo ka zgjedhur që dy fustanet e nusërisë t’i blejnë nga kompania e një kreatori serb.


    Mihano Momosa është marka e dy vellove që nusja e familjes Thaçi i ka veshur në natën e dasmës se saj. Ajo gjatë postimeve në rrjetet sociale të fotove nga dasma e saj, vetë e ka cekur se kush është kreatori i vellove të saj.

    Reporteri.net ka gjetur se pas kësaj marke është një kreator serb. Mihailo Anušić është kreator serb, i cili siç shkruan në faqen zyrtare të kësaj marke, është pronar i Mihano Mamosa.

    Ndërsa, me një kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të kreatorit serb, shihet i ekspozuar edhe modeli i fustanit të cilin e kishte pëlqyer dhe porositur edhe nusja e familjes së Presidentit.

    Dy ditë para natës së dasmës, në rrjetin social instagram, nusja e familjes Thaçi kishte postuar arritjen e dy vellove të saj nga Mihano Mamosa.

    Referuar faqes zyrtare të brendit, studio kryesore e Mihano Mamosa gjindet në Novi Sad në Serbi.

    Gjithashtu, të dhënat e tij publike në Wikipedia tregojnë se ai është një dizajner i modës me nacionalitet serb, dhe themelues i ‘Mihano Momosa’, studio ku edhe i ka blerë vellot nusja e familjes së Presidentit.

    Edona Ahmeti ëahtë martuar të shtunën e kaluar me Kushtrim Thaçin. Ky i fundit është djali i Gani Thaçit, vëllait të presidentit.

    Përveç tjerash, blerja e vellove në Serbi, nga nusja e familjes së presidentit Thaçi, ka ndodhur edhe në kohën, kur është shumë aktuale tema e taksës dhe bojkotimit të produkteve serbe.

    Kosova ka vendosur taksë 100% ndaj produkteve që prodhohen në Serbi, duke ua bërë të pamundur plasimin në tregun e Kosovës.

    Ndërsa, kjo taksë të cilën kryeministri Ramush Haradinaj ka insistuar të mos e heq, edhe pas presionit të madh të vendeve mike të Kosovës, si SHBA dhe vende nga Bashkimi Europian, kanë ndikuar edhe në ftohjen e raporteve në mes të kryeministrit dhe presidentit.

    Thaçi kishte insistuar në heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, pasi kjo kishte bllokuar dialogun me Serbinë në Bruksel. Homologu i tij serb Aleksandar Vucic, ka vendosur që pa heqjen e taksës Serbia nuk do të pranojë të ulet në tavolinën e dialogut.

    Tutje, Edona Ahmeti, nuse e familjes së presidentit, është personazh i njohur për opinionin publik edhe më herët.

    Ajo para tri vitesh ishte emëruar Drejtoreshë e Kartonit të Gjelbër nga Këshilli Administrativ i Byros Kosovare të Sigurimeve, por pas raportimit të mediave kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

    Emërimi i saj në atë kohë ishte bërë dy muaj pasi vjehrri i saj, Gani Thaçi ishte emëruar në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKS-së.

    “Njoftojmë se znj. Edona Ahmeti e zgjedhur para disa ditësh nga Këshilli Administrativ i BKS-së si drejtoreshë në departamentin e Kartonit të Gjelbër dhe MOU jep dorëheqje për arsye personale pasiqë mendon që të shkoj në shkollim të mëtutjeshëm jashtë vendit”, ishte njoftimi i BKS-së pas dorëhëqjes së saj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!