Arlinda Zekaj ishte ankuar edhe në IPK, incizimet ngrenë pikëpyetje për trajtimin e shqetësimeve të saj
Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet për shqetësimet që kishte lidhur me sigurinë e saj. Ajo ishte ankuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ndërsa rrethanat e trajtimit të ankesave të saj ngrenë pikëpyetje për reagimin institucional dhe mundësinë e neglizhencës.
Në incizimet e publikuara së fundmi në media, të realizuara nga vetë Zekaj brenda ambienteve të Policisë së Kosovës dhe të transmetuara në emisionin “MAT”, dëgjohet një bisedë mes saj dhe komandantit policor, Faruk Muçolli.
Gjatë bisedës, Zekaj shpreh pakënaqësinë për mënyrën se si po trajtoheshin shqetësimet e saj, ndërsa Muçolli e pyet nëse kishte paraqitur ankesë ndaj policisë.
“Sa herë shkove në Inspektorat ti për situatën?”, dëgjohet duke e pyetur Muçolli.
“O edhe miliona herë”, i përgjigjet Zekaj.
Në një pjesë tjetër të bisedës, Muçolli i thotë se, nëse ajo dyshon se policia nuk po vepron siç duhet, mund të paraqesë ankesë.
“Në atë moment që ti dyshon që na nuk jemi në rregull, ti ke të drejtë me paraqitë ankesë”, dëgjohet duke i thënë ai.
Por, Zekaj këmbëngul se institucionet duhet të veprojnë dhe të zbatojnë vendimet përkatëse, ndërsa shpreh shqetësim për sigurinë dhe jetën e saj.
“Faruk, të lutem, të lutem! Unë vrana, a s’ka lidhje? Po ju keni me u përgjigj. Apo është shumë e thjeshtë, krejt gratë që janë vra në shpi, a janë përgjigj pasi kanë vdekë?”, dëgjohet duke thënë ajo.
Në vazhdim të bisedës, Muçolli i thotë se nuk e ka obligim të merret personalisht me të dhe se nuk do ta pranojë më në takime personale.
“Unë të kam thënë edhe atë ditë, unë s’e kam obligim të merrem me ty”, i thotë ai.
Ndërsa kur Zekaj e pyet se kush është i obliguar t’u përgjigjet kërkesave të saj, Muçolli i thotë se deri atëherë e kishte pranuar për arsye morale.
“Hera e fundit që të pranoj, se unë ty më nuk do të të pranoj personalisht”, dëgjohet duke i thënë ai.