Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti do të mbajë konferencë për media, sonte në orën 19:45.
Kjo është konferenca e dytë e Kurtit brenda ditës së sotme, pas asaj të orës 15:00, në të cilën polimizoi në distancë me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Në konferencën e parë, shefi i ekzekutivit shpalosi një “ofertë” për PDK-në.
“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush. Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, tha Kurti.
Por, profesori i Juridikut, Bekim Sejdiu, ka thënë se mbetet në fuqi vendimi për t’u tërhequr nga gatishmëria për të qenë kandidat për president, por nuk ka treguar se si do të veprojë në rast se do të siguroheshin votat për të.
“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.
Kurit i është kundërpërgjigjur edhe Bedri Hamza. Ai ka insistuar se vota për ndryshimet ligjore për Specialen nuk mund të kushtëzohet me votën për presidentin.
“Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në. Është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun, por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po t’i kërkoj 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë, por nuk shkojnë kështu. Nëse duam ta bëjmë ligjin, sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje”, tha Hamza.
Sipas Hamzës, zgjedhjet e reja janë projekt i Vetëvendosjes.
Afati për zgjedhjen e presidentit të ri mbaron sonte në mesnatë.