Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se fillimisht kishte pasur unanimitet të plotë në grupin parlamentar të LDK-së për të diskutuar për një president nga radhët e kësaj partie.
Ajo tha se, pasi nuk u arrit pajtim me Vetëvendosjen për një bashkëqeverisje dhe president të LDK-së, në parti u diskutua alternativa e një presidenti konsensual dhe jo partiak.
Sipas Osmanit, edhe për këtë propozim kishte pasur mbështetje të plotë nga 18 deputetët e LDK-së, përfshirë edhe një nga gjashtë deputetët që tashmë kanë deklaruar publikisht se janë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut.
“Një deputet ka thënë: ‘Mua nuk më pëlqen fare’, por nuk do të dalë kundër qëndrimit të shumicës. Edhe pse mua fare nuk më pëlqen kjo çështje, megjithatë në fund unë do ta respektoj vendimin e shumicës dhe do të votoj pro qëndrimit të partisë”, ka treguar Osmani në Klan Kosova.
Ajo theksoi se në esencë, sipas saj, LDK-ja kishte 18 vota për një president konsensual, jo partiak.
“Pa pjesëmarrje në qeveri, pa president të LDK-së, pa asnjë pozicion për LDK-në, me një president jo partiak, konsensual, i cili kemi kërkuar që të jetë dikush që e respekton Kushtetutën, mbron interesat shtetërore dhe tenton ta krijojë balancën demokratike”, ka thënë Osmani.
Osmani ka bërë të ditur se diskutimi në grupin parlamentar kishte zgjatur rreth katër orë, pas së cilës kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte dalë para mediave dhe kishte deklaruar se partia kishte vendosur të mos kërkonte pozita në qeveri dhe as postin e presidentit për LDK-në.
Sipas saj, qëllimi ishte që LDK-ja të qëndronte në opozitë dhe ta kundërshtonte qeverinë për çështjet me të cilat nuk pajtohej, ndërsa një president konsensual do të mbështetej në funksion të stabilitetit institucional dhe parandalimit të zgjedhjeve të reja.
Osmani e ka quajtur fatkeqe situatën aktuale politike të Kosovës si pasojë e mungesës së institucioneve.
Ajo tha se ky dëm lë pasoja të pariparueshme që mund t’i vuajnë edhe gjeneratat pasuese.
“Në radhë të parë më lejoni të them që Kosova është në një situatë shumë fatkeqe për shkak të mungesës së institucioneve, bllokadave të njëpasnjëshme dhe kjo lë pasoja të pariparueshme me të cilat do duhej të merremi jo vetëm ne, por edhe gjeneratat që do të vijnë pas nesh, sepse dëmi është edhe përbrenda, qoftë ai ekonomik, qoftë ai i përçarjeve që po krijohen, i humbjes së mundësive të shumta, por nga perspektiva edhe e përvojës sime si presidente dëmi është jashtëzakonisht i madh edhe në sferën ndërkombëtare, në imazhin e vendit tonë, në aleancat e vendit tonë dhe përsëri në mundësitë e shumta që po i humb shteti ynë për shkak të mungesës së institucioneve të fuqishme reprezentative”, ka thënë Osmani në Rubikon të Klan Kosovës.
Osmani tha se bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ata kanë qenë të angazhuar që në fillimin që Kosovës t’i japin institucione.
“Ju e dini shumë mirë që kur kemi qenë këtu në studio te ju bashkë me kryetarin e LDK-së ë gjatë fushatës zgjedhore, për ne ka qenë shumë me rëndësi që ta qartësojmë qëndrimin tonë para qytetarëve edhe gjatë fushatës dhe të njëjtin e kemi mbajtur edhe pasi ka përfunduar fushata zgjedhore, edhe pasi kemi marrë rezultatet e zgjedhjeve, dhe kjo ka qenë që ne pavarësisht rezultatit do ta japim gjithë kontributin tonë që Kosova të ketë institucione”.
“E kemi sqaruar që pikërisht këtu te ju që kjo nuk do të lidhet assesi me emrat tanë, nuk do të lidhet assesi me pozitat tona, por do ta japim kontributin maksimal brenda atij kapaciteti që e kemi prej votës qytetare që Kosovës t’i japim institucione”.
“Dhe pikërisht këtu ka filluar angazhimi ynë, menjëherë pas zgjedhjeve e kemi sqaruar të njëjtën gjë, sepse ne kemi besuar që në këtë periudhë Kosovës më së shumti i duhet urtësi shtetërore e shumë më pak krenari partiake apo individuale grupore”. /Reporteri.net/