Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pasi Siria ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një moment historik dhe një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve diplomatike. Deklarata u transmetua drejtpërdrejt përmes një transmetimi live në Facebook nga Riadi, kryeqyteti i Arabisë Saudite.
“Ky nuk është vetëm akt njohjeje i sovranitetit shtetëror të Kosovës, por edhe njohje e sakrificës së gjatë të popullit tonë për liri. Siria është një popull që e ka kuptuar vuajtjen tonë dhe e ka njohur përpjekjen tonë për liri. Ky moment na jep mundësinë të hapim kapituj të rinj të bashkëpunimit dhe të mbështesim edhe popullin sirian në rindërtimin e shtetit të tyre,” tha Presidentja Osmani, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Ajo theksoi se njohja e Sirisë nuk ka ardhur rastësisht, por pas përgatitjeve të kujdesshme dhe takimit të parë të Presidentes Osmani me udhëheqësit sirianë në muajin prill, si dhe pas ndërmjetësimit të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, dhe mbështetjes së këtij vendi aleat të Kosovës.
Presidentja Osmani shtoi se Kosova do të vazhdojë të punojë për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, duke ndërtuar partneritete të reja dhe duke forcuar marrëdhëniet me popujt që kanë përjetuar vuajtje dhe sakrifica të ngjashme.
“Ky është një hap drejt qëllimit tonë për ta vendosur Kosovën aty ku e meriton mes kombeve të lira,” tha ajo, duke paralajmëruar se muajt e ardhshëm do të sjellin edhe lajme të tjera pozitive për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Ajo ka treguar se nesër do të kthehet në Kosovë.