Në prag të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi, ka shpallur tender në vlerë gati 2 milionë euro për renovimin e stadiumit të qytetit, shkruan Reporteri.net.
Vlera totale e kontratës është 1 milion e 890 mijë euro.
Sipas dosjes së tenderit, afati për përfundimin e punimeve është 420 ditë nga dhënia e kontratës.
Kontrata do të jepet me procedurë të hapur.
Afati i fundit për pranim të ofertave është edhe 13 tetori, ora 14:00, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.
Sot ka nisur edhe ndërtimi i stadiumit të qytetit në Suharekë, investim milionësh poashtu. Në ceremoni kanë marrë pjesë Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
Ndryshe, projekte të tilla janë shtuar me afrimin e nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kurti dje bashkë me Kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin, kanë vënë gurthemelin për bulevardin e qytetit, në vlerë 18 milionë euro./Reporteri.net