Eurodeputeti belg, Michel De Maegd, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të kërkojë falje për interpretimin e kënges nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel.

Melodia, e lidhur me pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, ishte interpretuar gjatë hapjes së Forumit të parë për Zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Duke iu drejtuar komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, De Maegd e cilësoi këtë veprim si një gabim të rëndë dhe të dëmshëm.

Reklamë

Ai kujtoi përvojën e tij si reporter lufte në Kosovë më 1999, duke përshkruar vuajtjet që kishte parë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Nuk është duke e harruar historinë, madje as duke e mohuar atë, që ne do të ndërtojmë paqen, por duke pasur guximin për ta tejkaluar atë”, deklaroi ai.

“Dhe në këtë drejtim, zonja Komisionere, më duhet t’ju shpreh një keqardhje të thellë”, vazhdoi eurodeputeti belg.

De Maegd solli në vëmendje kujtimet e tij nga lufta, kur kishte kaluar tre muaj mes popullatës së Kosovës.

“Në vitin 1999, si reporter lufte, kam kaluar tre muaj me popullin e Kosovës. Kam përjetuar pranë tyre shtypjen e egër të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, luftën, megjithatë mbi 14 000 të vrarë në Kosovë, viktima të pafajshme, spastrimin etnik me 850 000 kosovarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre në atë kohë, kampet e refugjatëve, bombardimet, e më pas fatmirësisht kthimin fitimtar në Prishtinë, në atë që sot është bërë një shtet i pavarur”, deklaroi ai.

Reklamë

Eurodeputeti e konsideroi të papranueshme që një këngë e lidhur me pretendimet serbe ndaj Kosovës të interpretohej në një ngjarje evropiane.

“Mirëpo, të dielën mbrëma, në hapjen e forumit të parë mbi zgjerimin, këtu në Bruksel, ndodhi një gabim vërtet i dëmshëm. Një këngë nacionaliste serbe, e lidhur me pretendimet territoriale serbe mbi Kosovën, u këndua në skenë, mu në zemër të Evropës sonë”, theksoi De Maegd.

Ai iu referua edhe reagimit të komisionares Marta Kos, e cila kishte shprehur keqardhje për incidentin, duke e cilësuar këngën si zgjedhje të muzikantëve.

Megjithatë, eurodeputeti belg vuri në dyshim se si një këngë e tillë kishte mundur të përfshihej në program pa miratimin e shërbimeve evropiane.

Reklamë

“Dhe ju keni shprehur keqardhjen tuaj, gjë për të cilën natyrisht ju falënderoj, që është minimumi për atë që ishte, po citoj, «një zgjedhje e muzikantëve», por e pranoj se nuk e kuptoj se si kjo zgjedhje ka mundur të bëhet pa miratimin e shërbimeve evropiane, duke pasur parasysh të kaluarën e dhimbshme të një populli të tërë”, deklaroi ai.

Për De Maegd, shprehja e keqardhjes nuk mjafton. Ai kërkoi një kërkimfalje, duke e përshkruar incidentin si një shtrembërim të papranueshëm të historisë së Kosovës.

“Më duket se një kërkimfalje do të ishte më se e mirëpritur përballë këtij rileximi të paturpshëm të historisë, i cili përjetohet si një shuplakë e re nga populli i Kosovës”, përfundoi eurodeputeti belg.

Kos sërish shpreh keqardhje

Në përgjigjen e saj, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se organizatorët kishin dhënë udhëzime për programin muzikor, por nuk kishin miratuar secilën këngë.

“Ne i kemi dhënë udhëzimet grupit muzikor se çfarë donim të kishim, por nuk e kemi miratuar çdo këngë veç e veç”, deklaroi Kos.

Reklamë

Ajo shprehu keqardhje të thellë për incidentin, duke thënë se Kosova meriton mbështetjen e Bashkimit Evropian.

“Më vjen thellësisht keq që ka ndodhur kjo, sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen nga ne dhe do ta marrë gjithë mbështetjen nga ne”, tha komisionarja.

Kos bëri të ditur se kishte komunikuar edhe me kryeministrin e Kosovës, të cilit ia kishte shprehur keqardhjen për atë që kishte ndodhur.

“Gjithashtu kam qenë në kontakt me Kryeministrin, i kam shprehur keqardhjen time se kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, deklaroi ajo.

Reklamë

Komisionarja theksoi se incidenti nuk e ndryshon angazhimin e Komisionit Evropian për ta mbështetur Kosovën.

“Pra, angazhimi ynë i qartë, i Komisionit Evropian dhe imi personal, është se ne do ta mbështesim Kosovën edhe më tej”, u shpreh Kos.

Në fund, ajo e lidhi mbështetjen për Kosovën me perspektivën e integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke e përjashtuar mundësinë që Kosova të mbetej jashtë këtij procesi.

“A mund ta imagjinoni që ne t’i integrojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo Kosovën?”, pyeti ajo.

“Pra, kjo nuk mund të ndodhë, nuk mundet, thjesht nuk mundet”, përfundoi komisionarja evropiane për Zgjerim.