Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të dyshuarit me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. dyshohen për pjesëmarrje në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin Potok.

Kërkesa për caktimin e paraburgimit është bërë mbi bazën e provave dhe të dhënave të mbledhura gjatë procedurës hetimore deri në këtë fazë.

Reklamë

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurat në kuadër të kompetencave të saj ligjore.

Në njoftim thuhet se gjatë procedurës do të respektohen të drejtat e të gjithë personave të përfshirë, ndërsa informacionet që për shkak të fazës së hetimit nuk mund të bëhen publike do të mbeten konfidenciale.

Për nëntë personat ende nuk është marrë vendim për fajësinë e tyre, ndërsa kërkesa për paraburgim do të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.