Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, të cilët dyshohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas IPK-së, hetimi paraprak për këtë rast kishte nisur disa ditë më parë, sipas detyrës zyrtare, pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike lidhur me veprimet e policisë gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.

Hetimi është iniciuar pas pretendimeve të një qytetari me inicialet N.R., i cili kishte akuzuar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës për tejkalim të autorizimeve policore.

Reklamë

“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK ka bërë të ditur se Departamenti i Hetimeve do të vazhdojë me veprime të tjera hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Qëllimi i hetimeve është sqarimi i plotë i rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.

IPK kishte nisur hetimin paraprak më 12 gusht, duke theksuar se në atë fazë nuk paragjykohej rezultati i hetimit dhe se po mblidheshin e vlerësoheshin të gjitha informacionet dhe provat në dispozicion.

Institucioni ka deklaruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale brenda kompetencave të tij, përfshirë sigurimin e dokumentacionit, marrjen e informacioneve zyrtare dhe intervistimin e personave që mund të kenë njohuri për rastin.

Reklamë

Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.