Aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga Prishtina i janë bashkuar aksionit të deputetëve të këtij subjekti politik dhe të Aleancës, i cili po mbahet tash e katër javë para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Ky aksion është organizuar nga deputetët e PDK-së dhe Aleancës si formë presioni ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e institucioneve të reja.
Ata po kërkojnë që procesi institucional të zhbllokohet sa më shpejt, duke argumentuar se vendi nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë me institucione në detyrë dhe pa funksionimin e plotë të mekanizmave kushtetues.
Aksioni para objektit të Qeverisë është shndërruar në një formë të vazhdueshme të presionit politik. Deputetët dhe aktivistët e këtyre subjekteve kanë përsëritur kërkesën që Kuvendi të konstituohet dhe të krijohen institucionet që do të kenë mandat të plotë për të marrë vendime. Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se seanca do të mbahet pas marrëveshjes polititike për çështjen e presidentit, e e cila u arrit të premten me LDK-n. Megjithatë, janë gjashtë deputetë të LDK-së që kanë deklaruar se nuk e mbështesin emrin e Bekim Sejdiut për president.
Gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin marrëveshjen janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri.
Kundërshtimi i tyre u bë i ditur pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku u diskutua marrëveshja e arritur nga Abdixhiku me Kurtin për mbështetjen e Sejdiut si kandidat për president.
Abdixhiku ka deklaruar se qëndrimi i gjashtë deputetëve e pamundëson sigurimin e votave të nevojshme për presidentin dhe e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja./kp