Edhe sot deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë dalë para ndërtesës së Qeverisë, ku iu janë bashkuar aktivistë dhe asamblistë nga Anamorava, përkatësisht nga komunat e Vitisë, Gjilanit dhe Kamenicës.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, foli për marrëveshjen për presidentin që LVV-ja dhe LDK-ja arritën gjatë ditës së djeshme.
Demaku tha se as ky veprim nuk i ndryshon qëndrimet e tyre, pasi, sipas tij, ende jemi jashtë kushtetutshmërisë.
“As veprimi i djeshtëm, asgjë nuk ka bërë që të ndryshojë qëndrimi ynë, sepse ne edhe sot jemi jashtë kushtetutshmërisë. Ai mund të vazhdojë edhe më tutje të bëjë lojëra të tilla, të shtyjë kohë, të gjejë arsyetime koti edhe qesharake, e ndoshta edhe ndonjë natë të na thotë se tash duhet me bindë edhe Avdullah Hotin se s’mundemi me thirrë seancën. Prandaj edhe një herë i bëjmë thirrje, sa nuk është vonë, që të kthehemi në kushtetutshmëri”, tha Demaku.
Ndërsa Time Kadriaj, deputete nga Aleanca, tha se sot është dashur të thirret seanca dhe të konstituohet Kuvendi pas arritjes së marrëveshjes.
Ajo bëri thirrje që Kurti të kthehet në Kuvend dhe ta konstituojë atë ose të shpallë zgjedhjet, për të cilat u shpreh se pajtohen.
“Nëse ata dje kanë arritur një marrëveshje që s’e kanë bërë të gjerë për opinionin, përpos një deklarate të shkurtër, dikush prej liderëve duke qajtur e dikush duke buzëqeshur, sot është dashur të thirret seanca, të konstituohet Kuvendi, të zgjidhen organet e Kuvendit, të zgjidhet qeveria apo të zgjidhet edhe presidenti i Kosovës. Ne po shohim që këtu nuk kemi transparencë, nuk ka llogaridhënie, mirëpo populli nuk harron. Albin Kurti, kthehu institucioneve, kthehu Kuvendit të Kosovës, konstituo Kuvendin, ose në rastet e tjera shpall zgjedhjet, në të cilat edhe ne pajtohemi”, tha Kadriaj.