Protestës së Grupit Parlamentar të PDK-së, e cila po mbahet tash e disa javë para ndërtesës së Qeverisë në shenjë proteste për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, i janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë të kësaj partie nga Komuna e Ferizajt dhe Hani i Elezit
Protesta e deputetëve të PDK-së dhe Aleancës po zhvillohet para ndërtesës së Qeverisë, ndërsa në ditët e fundit aksionit u janë bashkuar edhe struktura lokale të partisë nga komuna të ndryshme të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka dërguar letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, duke i kërkuar që sot, më 28 gusht, në ora 11:00, të thërrasë vazhdimin e seancës.
PDK-ja vlerëson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar, sipas tyre, një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në letrën drejtuar Deharit, deputetët e PDK-së kërkojnë që ai, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, të përmbushë obligimet e tij kushtetuese dhe procedurale dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letrën e PDK-së.
Sipas PDK-së, tejkalimi i afatit kushtetues nuk e heq detyrimin për konstituimin e Kuvendit dhe se procesi duhet të vazhdojë pavarësisht vonesave.
Partia Demokratike thekson se roli i kryesuesit të seancës konstituive është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit”, thuhet më tej në letër.
PDK-ja kërkon nga Dehari që pa vonesa të mëtejshme ta thërrasë sot seancën konstituive në ora 11:00, duke argumentuar se kështu do të mundësohej ushtrimi i mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur.