Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për 9 shtator.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se kjo parti do të jetë në Kuvend, duke theksuar rëndësinë që institucionet të jenë të konstituuara para 16 shtatorit, datës kur pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Hamza tha se për PDK-në datat 12 dhe 16 shtator janë të rëndësishme dhe se zhvillimet politike duhet të shihen edhe në funksion të këtyre datave.
Ai konfirmoi pjesëmarrjen e deputetëve të PDK-së në seancën e 9 shtatorit, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që çështja e vonesës së konstituimit të Kuvendit të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, edhe LDK-ja ka vendosur të marrë pjesë në seancë.
Deputetja Jehona Lushaku bëri të ditur pas mbledhjes së Grupit Parlamentar se LDK-ja do të kontribuojë në konstituimin e Kuvendit, duke argumentuar se Kosova ka nevojë për funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit”, deklaroi Lushaku.
Ajo tha se çështja e presidentit nuk është diskutuar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së.
Seanca e ndërprerë konstituive pritet të vazhdojë më 9 shtator në orën 11:00, sipas njoftimit të kryesuesit Avni Dehari.