Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i udhëhequr nga Vlora Çitaku, i ka dërguar letër kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Deharit, duke kërkuar që vazhdimi i seancës të mbahet të premten, më 28 gusht, në orën 11:00.
Në letrën e dërguar, PDK-ja ka kërkuar nga Dehari që të përmbushë, siç thuhet, obligimin kushtetues dhe procedural për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive.
Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letër.
PDK-ja ka theksuar se, sipas saj, roli i kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës është i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
Në këtë kuadër, partia ka kërkuar që Dehari të mos vonojë thirrjen e seancës, duke argumentuar se përgjegjësia e tij është të mundësojë vazhdimin e procesit deri në konstituimin e Kuvendit.
“Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike dhe ato duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në letrën e PDK-së.
PDK-ja ka kërkuar që seanca të mbahet më 28 gusht në orën 11:00, me qëllim, siç është shprehur, “mundësimin e ushtrimit të mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur”.

