Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë hapa konkretë drejt marrëdhënieve që çojnë në stabilitet dhe angazhim në dialog.

Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka thënë se paqja mes dy shteteve është esenciale.

“Paqja me Kosovës dhe Serbisë jo vetëm që është esenciale, Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet e prosperitet. I bëjmë thirrje dy palëve që të tregojnë përmbajtje, të bëjnë hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka thënë ajo.

Reklamë

Bruce ka shtuar tutje se SHBA-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket misionit të UNMIK-ut, duke theksuar se ai “ka jetuar shumë më gjatë” se që ka qenë nevoja për të.

E përfaqësuesja e Danimarkës në Këshillin e Sigurimit në OKB, Christina Markus Lassen, ka thënë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është mënyra për të arritur deri te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se suksesi varet nga vullneti i dyja palëve dhe se duhet zbatuar marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Ajo ka thënë se Kosova duhet të ecë para me themelimin e Asociacionit e ka shtuar se edhe Serbia duhet t’i zbatojë zotimet e marra.

Ajo ka folur edhe për sulmin në Banjskë, duke thënë se është për keqardhje që Serbia nuk ka bërë mjaftueshëm për të siguruar llogaridhënie. Ndërsa ka përmendur edhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, që kanë kaluar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka kërkuar për përmbajtje e pavarësi gjyqësore të plotë të Dhomave të Specializuara, ndërsa ka thënë që çdo veprim kundrejt këtij aktgjykimi duhet ta ndjekë procesin e Apelit.

Reklamë

“Çdo iniciativë për legjislacionin duhet të reflektojë obligimet ndërkombëtare të Kosovës”, tha ajo.

Ndryshe, në takimin në OKB, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kritikuar raportin e UNMIK-ut për Kosovën, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Konjufca e ka cilësuar raportin si selektiv, duke pretenduar se një pjesë e tij mbështetet në propagandën serbe dhe dezinformata, ndërsa nuk i pasqyron plotësisht përparimet e Kosovës në sundimin e ligjit, stabilitetin institucional dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Gjatë adresimit të tij para Këshillit të Sigurimit, ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si raporti i referohet sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se ai nuk duhet të cilësohet thjesht si një ngjarje e dhunshme.

Reklamë

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, është ankuar kinse për jetën jonormale e nën presion të serbëve që jetojnë në veriun e Republikës së Kosovës gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën.

E Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka thënë se e ritheksojnë brengosjen e Bashkimit Evropian për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke shtuar se duhet të respektohet integriteti dhe pavarësia e gjyqësorit.

Due ka kritikuar Policinë e Kosovës me pretendimin nuk ka ndarë informata me OKB-në gjatë kohës së protestave në Kosovë që u mbajtën pas vendimit të Gjykatës Speciale më 16 shtator. Ndër të tjera, Due ka kërkuar përgjegjësi për sulmin në Banjskë dhe kanalin e Ibër-Lepencit.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po raportohet për Kosovën, Due ka thënë se pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-komandantëve të tjerë, u organizuan demonstrata në vende të ndryshme, shumica prej të cilave, sipas tij, mbetën paqësore.

Reklamë