Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të qëndrojë në seancën e thirrur më 9 shtator.
Këtë e ka konfirmuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Ka deklaruar se Grupi Parlamentar i LDK-së do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj prandaj ne kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi sa më parë të jetë e mundshme dhe institucioneve t’u kthehet funksionaliteti i tyre. Prandaj kemi vendosur që të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë institucione Kosovës”, ka thënë ajo.
Sa i përket çështjes së presidentit, Lushaku ka thënë se nuk është diskutuar për këtë temë.
Kica-Xhelili: Nuk marr pjesë në një seancë e cila e ka kaluar çdo afat kushtetues
Deputetja Doarsa Kica-Xhelili para mbledhjes ka thënë se për të nuk hapësirë të marrë pjesë në një seancë që ka kaluar çdo afat kushtetues. Porse ka shtuar se është e hapur për t’i dëgjuar kolegët nga Grupi Parlamentar.
Edhe deputeti Anton Quni ka thënë se do t’i dëgjojë kolegët dhe do të vendosë nëse do të marrë pjesë në seancë.
E deputeti Armend Zemaj ka deklaruar se për thirrjen e seancës konstituive është shkelur çdo afat kushtetues, porse sipas tij, këtë duhet ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese.
Deputetët e zgjedhur në qershor, pritet të mblidhen më 9 shtator për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike e cila ka mbi një vit që zgjat dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten e javës që shkoi se seanca e ndërprerë muajin e kaluar do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.
Dehari e arsyetoi vendimin me marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me kandidatin për president të Kosovës.