×
  • Lajme
  • Lajme

    Përjashtohet publiku në rigjykimin e të akuzuarit për terrorizëm në rastin “Badovci”

    Reporteri
    10 Prill 2019 | 13:05

    Me kërkesë të prokurores speciale Drita Hajdari, është përjashtuar publiku në rastin e njohur si “Badovci”, ku Fehmi Musa po akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të terrorizmit.


    Rasti ndaj tij, pas dënimit nga shkalla e parë, e vërtetimit të aktgjykimit nga shkalla e dytë, ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme në maj 2018.

    Musa po akuzohet se me 11 korrik 2015, kishte shkuar tek liqeni i Badovcit për t’i arratisur nga vendi i ngjarjes të akuzuarit Besnik dhe Enis Latifin si dhe Milazim Haxhijajn, të cilët kishin pasur për qëllim incizimin e një video propaganduese me qëllim leximin e betimit ndaj udhëheqësit të ISIS-it dhe të publikojnë këtë video në internet, për t’ua dëshmuar botës shtrirjen e shtetit islamik në Republikën e Kosovës.

    Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja speciale Drita Hajdari ka kërkuar që të përjashtohet publiku, pasi në këtë seancë është paraparë të dëgjohen hetuesit policorë nga Drejtoria Kundër Terrorizëm.

    “Bazuar në natyrën e punës se tyre dhe përmbajtjen e informatave të cilat ata mund të na japin, konsideroj që në rastin konkret janë plotësuar kushtet për përjashtimin e publikut në rastin kur do të dëgjohen këta dëshmitarë. Kërkoj që në asnjë mënyrë mos të publikohen emrat e tyre”, ka thënë Hajdari.

    Në këtë mënyrë, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, ka aprovuar propozimin e prokurores, dhe ka përjashtuar publikun derisa të dëgjohen dëshmitë e këtyre hetuesve policorë, ndërsa pas përfundimit të këtyre dëshmive, seanca do të rihapet për publikun.

    Ndryshe, aktakuza ndaj Musës dhe të bashkakuzuarve të tij Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Enis Latifit ishte ngritur me 4 dhjetor 2015, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK). Në këtë rast, i akuzuar është edhe Betim Ibrahimaj, por ai gjendet në arrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit sipas marrëveshjes paraprake, më 10 korrik 2015, kishin shkuar tek liqeni i Badovcit, që me ikonografin e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta incizojnë një video propaganduese, në të cilën kishin pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “ISIS” dhe ta publikojnë këtë video në internet, për ta dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Republikën e Kosovës.

    Në aktakuzë thuhet se pasi të akuzuarit ishin ndalur në afërsi të liqenit, ishin vërejtur nga rojtarët e liqenit, të cilët e kishin njoftuar Policinë e Kosovës, e cila kishte arritur në vendin e ngjarjes dhe i kishte arrestuar të pandehurit Besnik Latifi, Enis Latifi dhe Milazim Haxhiaj, derisa të pandehurit Gazmend Haliti dhe Betim Ibrahimaj ishin arratisur nga vendi i ngjarjes, të ndihmuar nga i pandehuri Fehmi Musa.

    Ndërsa, Musa po akuzohet se më 11 korrik 2015, rreth orës 02:00 të mëngjesit, kishte shkuar tek liqeni i Badovcit dhe me veturën e tij e kishte bartur të pandehurin Gazmend Haliti deri në fshatin Hajvali dhe të pandehurin Betim Ibrahimaj deri në Istog, edhe pse e kishte ditur qëllimin e qëndrimit të tyre tek liqeni i Badovcit, si dhe duke e ditur se me atë rast ata ishin arratisur nga policia.

    Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës më 29 maj 2018, kishte miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Fehmi Musa dhe detyrimisht të anulohen vendimet e nxjerra nga Gjykata Themelore në Prishtinë të 19 korrikut 2018 dhe ai i Apelit i 24 tetorit 2017, duke ia kthyer lëndën për rivendosje shkallës së parë.

    Sipas Supremes, vendimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilët nuk janë eliminuar as me aktgjykimin e shkallës së dytë, për çka edhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është e bazuar.

    Po ashtu, ky rast ishte kthyer edhe një herë në rigjykim, pasi që Gjykata Supreme, e kishte rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila i kishte dënuar Besnik Latifin, Gazmend Halitin, Milazim Haxhiajn, Enis Latifin dhe Fehmi Musën, për kryerje të veprës penale që ndërlidhet me terrorizëm.

    Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të parë, kishte shpallur të akuzuarit fajtorë më 18 korrik 2016, ndërsa aktgjykimin e Themelores e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, më 29 nëntor 2016, duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Fehmi Musës e Enis Latifit.

    Ndërsa, për herë të dytë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 korrik 2017, të akuzuarit Besnik dhe Enis Latifi, si dhe të akuzuarit Haliti dhe Haxhiaj i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa tani të akuzuarin Musa e kishte dënuar me tre vjet burgim.

    Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi, akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa, Fehmi Musa për ndihmë për kryerjen e veprës penale të terrorizimit.

    Me aktgjykimin e parë, në korrik të vitit 2016, Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet, ndërsa Fehmi Musa me 4 vjet burg.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!