×
  • Lajme
  • Lajme

    Përplasja në degën e PDK-së në Skënderaj: Mësohet nëse Sami Lushtaku ishte prezent

    Reporteri
    15 Prill 2019 | 18:27

    Zgjedhjet e brendshme të PDK-së në komunën e Skenderajt, konkretisht në nëndegën e Klinës së Epërme u raportua se kanë degraduar në përleshje fizike të dielën, në mes të grupit që mbështet kreun aktual të kësaj komune, Bekim Jasharin dhe nënkryetarin Nuredin Lushtaku si dhe grupit të ish-kryetarit Sami Lushtaku.


    Për këtë çështje reaguan edhe vet Bekim Jashari e Sami Lushtaku, të cilët u munduan ta minimizojnë incidentin, shkruan Reporteri.net.

    I pari tha se nuk është as nuk do të jetë fajtori kujdestar për çdo problem që ndodhë në subjektet politike, duke thënë se si kryetar komune i ka hapur dyert e bashkëpunimit për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Kurse i dyti foli më konkretisht për përplasjen me ç’rast tha se “Kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve në këtë rast, Komisioni Lokal Zgjedhor ka vendosur që t’i anulojë këto zgjedhje deri në një vendim të ri”.

    Por pse po ndodhin këto përplasje në bastionin e PDK-së në Skenderaj?!

    Reporteri.net mëson nga burime brenda PDK-së në Skenderaj se përplasjet po ndodhin për shkak se përkrahësit e Nuredin Lushtakut dhe Bekim Haxhiut, por edhe vet këta dy që janë krahë të Bekim Jasharit, po luftojnë për të siguruar votat për t’u zgjedhur në organet drejtuese të partisë në Këshill Drejtues dhe Kryesi.

    “Kryetari i rinisë së PDK-së në Skenderaj që është anëtar i Komisionit të degës në nivel komune Alban Berisha, duke e udhëhequr procesin zgjedhor dhe duke dhanë sqarimin siç duket nuk është kuptuar drejt nga njëri prej pjesëmarrësve të nëndeges së Klinës së Epërme. Siç duket personit në fjalë të cilit emrin nuk ja di nuk i ka konvenuar diçka”, ka deklaruar burimi brenda PDK-së në Skenderaj për Reporteri.net.

    I pyetur se a po ndodhin këto përplasje mes dy taborreve, atij të Bekim Jasharit, Nuredin Lushtakut e Bekim Haxhiut në njërën anë dhe të Sami Lushtaku burimi në fjalë jep këtë përgjigje.

    “Nuredini e Bekimi i cakjtojnë përkrahësit e vet edhe ata po tentojnë me prish procesin në disa degë. Gara e tyne është të themi me vetvetën pasi po duan t’i sigurojnë votat për vete dhe përkrahësit e tyre për të qenë në organet drejtuese të partisë, Këshillit Drejtues dhe Kryesisë dhe për delegat në nivel qendror. Pra jo drejtpërdrejt luftën nuk e kanë me Sami Lushtakun por luftën e kanë t’i sigurojnë pozitat e veta në organet drejtuese”, thotë më tej burimi i Reporteri.net.

    I pyetur se a ishte Sami Lushtaku brenda sallës ku po mbahej procesi zgjedhor në Klinë të Epërme, burimi i Reporteri.net e mohon këtë.

    “Jo Samiu në asnjë moment nuk ka qenë brenda sallës. Ka qenë ulur tek një kafe aty afër dhe pothuajse në vazhdimësi qytetarët i afroheshin për të bërë foto me të. Samiu krejt vonë e ka kuptu që ka ndodhur përplasja brenda pasi ka qenë jashtë”, tregon ai./Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!