Pesë persona janë arrestuar të martën në Fushë-Kosovë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në lidhje me tentativën për tjetërsimin e një prone prej rreth dy hektarësh, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Aksioni është zhvilluar nga Krimet Ekonomike dhe Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e pesë personave, por nuk ka bërë të ditur identitetet e tyre.
Ndërkohë, sipas burimeve të KosovaPress-it, personat e arrestuar janë Adelina Gashi, Liridona Mustafa, Enver Asllani, Driton Gojnovci dhe Gëzim Zogjani, i cili është drejtor i Pronës.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, kanë pajisur me fletë poseduese personin me inicialet M.S. për një pronë me sipërfaqe prej dy hektarësh në Fushë-Kosovë.
“Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, kanë pajisur me fletë poseduese personin M.S, për pronën e cila gjendet në Fushë Kosovë, me sipërfaqe prej 2 hektarësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më pas, sipas Prokurorisë, M.S. dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z., duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Vlera e pronës, sipas Prokurorisë, arrin në rreth 1 milion e 500 mijë euro.
Personat e arrestuar prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të dëshmohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.