Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me përleshjen e armatosur që ndodhi të enjten rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, ku si pasojë mbetën të plagosur katër persona.
Sipas Prokurorisë, në përleshje janë përfshirë tre persona, ndërsa nga të shtënat me armë zjarri janë plagosur tre prej tyre, si dhe një kalimtar i rastit.
“Sot, rreth orës 13:40, në sheshin ‘Bulevardi i Dëshmorëve’ në Komunën e Podujevës, ka ndodhur një përleshje e armatosur ndërmjet tre personave. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, lëndime trupore kanë pësuar tre persona të përfshirë në ngjarje, si dhe një kalimtar i rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se të përfshirët kanë lidhje familjare.
“Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështjeje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake”, njofton Prokuroria.
Institucioni i akuzës bën të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës për të kryer veprimet e para hetimore.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se personat e përfshirë dyshohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.
“Me këto veprime të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’, nga neni 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, përfundon njoftimi.