Dy persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të hënën në fshatin Shushicë të Istogut.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:20, ndërsa në të kanë qenë të përfshira dy vetura me targa vendore.
“Në vendin e ngjarjes ka vdekur një person, këtë e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa viktima e dytë e këtij rasti ka arritur pa shenja jete në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Pejë.
“Në këtë aksident ishin të përfshira dy vetura me targa vendore, si pasojë e aksidentit, në vendin e ngjarjes ka vdekur një person, ndërsa tre persona të lënduar në këtë aksident janë duke u trajtuar në spitalin rajonal në Pejë”, ka njoftuar Policia.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor, ndërsa me urdhër të prokurorit të Shtetit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari ndalohet për 48 orë”, ka bërë të ditur Policia./ Reporteri.net/