Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në Han të Elezit, ku janë sekuestruar përkohësisht një automjet furgon dhe rreth 1,000 artikuj të ndryshëm.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 28 shtator 2026, njësitet e Drejtorisë së Kufirit kanë pranuar informacione se në Han të Elezit ishte i parkuar një furgon me targa vendore, i cili dyshohej se ishte i ngarkuar me mallra pa dokumentacionin përkatës.

Gjatë veprimeve policore në lokacion është identifikuar edhe një depo ku ndodheshin mallra të ndryshme. Në koordinim me prokurorin kujdestar, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar përkohësisht.

Reklamë

Më 29 shtator, pas konsultimit me prokurorin kujdestar dhe ekzaminimit të mallrave nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore.

Gjatë numërimit të përbashkët nga zyrtarët policorë dhe doganorë janë evidentuar rreth 1,000 artikuj të ndryshëm, përfshirë pajisje elektronike dhe teknike, pajisje kompjuterike, tekstil, materiale të ndryshme, duhan të papërpunuar, si dhe artikuj të tjerë.

“Automjeti dhe mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar njësisë kompetente të Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme, si dhe në bashkëpunimin me institucionet kompetente.