×
  • Lajme
  • Lajme / Vrasja

    Policia tregon se si ndodhën vrasja dhe plagosja në Ferizaj

    Reporteri
    12 Prill 2024 | 19:33

    Policia e Kosovës të premten ka publikuar një komunikatë me të cilën ka treguar se si ndodhi vrasja e një gruaje dhe plagosja e vëllait të saj në Ferizaj.

    “Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri”, thuhet në njoftim.

    Sipas komunikatës, patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin e parë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasojë personi E.C, e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C  i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.

    “Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A  i moshës 36 vjeçare dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren, në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”, thuhet në komunikatën e policisë.

    Hetuesit dhe krim teknikët rajonalë janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!