×
  • Lajme
  • Lajme

    Policit që u arrestua për vrasjen e sotme në Suharekë, shteti i kishte dhënë mirënjohje

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 19:13

    Polici Shefki Spahiu, që po dyshohet se vrau të riun Jetmir Aliaj në vendin e tij të punës, në dhjetor të vitit 2016-të, kishte marrë një mirënjohje për gjoja ‘të arriturat’ në punën e tij në Polici në atëkohë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni.


    Mirënjohja atij i ishte ndarë në ceremoninë vjetore, që organizohet nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Reporteri.net. Aty dekorohen dhe falënderohen me mirënjohje pjesëtarët e policisë të cilët kanë shënuar arritje në punën e tyre përgjatë një viti.

    E kështu, përveç ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, për t’ia ndarë mirënjohjen Spahiut, i pranishëm kishte qenë dhe ish-Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni e Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.

    Fotografinë me këtë të fundit, në rrjete sociale, e kishte shpërndarë një familjare e policit Shefki Spahiu, e që tregonte se ishte krenare me xhaxhanë e saj, shkruan Reporteri.net.

    E tre vite pas, rreshteri policorë Shefki Spahiu po dyshohet se kreu një vrasje në një kazino në Suharekë. I njëjti, dyshohet se kishte qenë pjesë e një grupi plaçkitësish që mëngjesin e të dielës hynë në lokalin në fjalë dhe më pas qëlluan për vdekje të riun, Jetmir Aliaj – punonjës i kazinos, pasi arriti ta identifikonte policin plaçkitës.

    Spahiu u arrestua pak orë pas rastit dhe ndodhet në ndalim policor, deri në caktimin e ndonjë mase tjetër të sigurisë, nga gjykata.

    “Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pas orës 12:00 të dyshuarin Sh. S (zyrtar policor me gradën e rreshterit) me dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast. Me urdhëresë të prokurorisë, hetuesit e IPK-së së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë realizuar një bastisje në banesën e të dyshuarit në Suharekë dhe në një shtëpi banimi”, ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.

    Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe banesës së tij, sipas njoftimit janë konfiskuar edhe një armë e tipit “Glock 9×19”, dy karikatorë si dhe disa fishekë.

    Polici i dyshuar, Shefki Salihu

    Portali informativ ‘Reporteri.net’, përmes burimeve, ka mësuar se rreshteri policor edhe më parë ishte dyshuar për veprimtari kriminale. I njëjti, sipas Reporteri.net atëkohë ishte suspenduar nga puna për shkak të dyshimeve për një rast dhunimi.

    Ndryshe, Jetmir Aliaj është viktima e dytë e vrarë të dielën në Suharekë. Në një fshat të kësaj qyteze, të njëjtën ditë, ka ndodhur edhe një tjetër vrasje për motive krejt të ndryshme. Një 64 vjeçar dyshohet se u qëllua për vdekje nga vëllai i tij 72 vjeç, për shkak të një kontesti pronësor. /M.Gj./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!