Takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk prodhoi një marrëveshje konkrete politike, por nxori në pah temat kryesore rreth të cilave po zhvillohen negociatat për një dalje nga ngërçi institucional.

Pas më shumë se dy orësh diskutime, të dy liderët dhanë sinjale për vazhdimin e komunikimit, por secila palë mbajti të artikuluara kërkesat dhe parimet e veta, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në qendër të bisedimeve janë tri çështje kryesore: formimi i institucioneve, roli i LDK-së në një marrëveshje eventuale dhe zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të vendit.

Reklamë

Kurti kërkon marrëveshje që respekton rezultatin zgjedhor

Albin Kurti deklaroi se një marrëveshje eventuale nuk duhet ta ndryshojë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje, por ta shndërrojë atë në stabilitet institucional.

“Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”, tha Kurti.

Kryetari i LVV-së la të kuptohet se synimi i tij është krijimi i institucioneve pa hyrë në një cikël të ri zgjedhor, duke theksuar se mungesa e marrëveshjes mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, ato mund të shkaktohen”, deklaroi ai.

Reklamë

LDK kërkon përfaqësim dhe balancë në institucione

Nga ana tjetër, Lumir Abdixhiku e bëri të qartë se LDK-ja nuk kërkon vetëm pjesëmarrje në një marrëveshje, por garanci për një rol të balancuar në institucionet e vendit.

Sipas tij, marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të krijojë një ekuilibër demokratik.

“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional, dhe e dyta që është shumë e rëndësishme, të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës”, tha Abdixhiku.

Reklamë

Ai theksoi se pa këtë balancë, LDK-ja nuk do ta shihte veten të përfaqësuar siç duhet.

“LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërtën edhe kontributi i LDK-së, por edhe konsideracioni politik i ndërtuar, nuk do të ketë as forcë, as fuqi të nevojshme”, u shpreh ai.

Presidenti, pika më e ndjeshme e negociatave

Një nga temat më të ndjeshme në bisedime është zgjedhja e Presidentit, pasi kjo pozitë kërkon një shumicë më të gjerë politike.

Reklamë

Kurti tha se LVV-ja nuk ka diskutuar emra konkretë dhe se kandidati duhet të jetë një figurë që mund të pranohet nga një shumicë e gjerë.

“Emri konkret do të duhej të ishte konsensual, pra të ishte gjithëpërfshirës, të mos ishte i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti.

Sipas tij, Presidenti nuk duhet të shihet si një vazhdim i pushtetit politik, por si figurë që përfaqëson gjithë Republikën.

“Presidenti ose presidentja e Republikës, si shprehje e unitetit të popullit, do të duhej të ishte jashtë partive politike dhe njëkohësisht të mos ishte i përfshirë në polemikat ditore”, deklaroi Kurti.

Reklamë

Ku ka afrim mes palëve?

Pavarësisht dallimeve, ekzistojnë disa pika ku LVV dhe LDK duket se kanë afrim.

Të dyja palët shprehen kundër zgjedhjeve të reja dhe vlerësojnë se vendit i duhet stabilitet institucional. Po ashtu, të dy liderët lanë të hapur mundësinë e vazhdimit të bisedimeve.

Kurti tha se është i gatshëm për bashkëpunim me LDK-në, ndërsa Abdixhiku deklaroi se partia e tij po merr pjesë në diskutime për t’i dhënë vendit një zgjidhje.

Megjithatë, pika kryesore e negociatave mbetet mënyra se si do të përkthehet ky bashkëpunim në praktikë: sa hapësirë do të ketë LDK-ja në institucionet e reja dhe çfarë formule do të gjendet për Presidentin.

Marrëveshja mbetet në tavolinë

Takimi Kurti-Abdixhiku nuk solli një dakordim final, por vendosi në tavolinë parametrat e një marrëveshjeje të mundshme.

Nëse palët arrijnë të harmonizojnë kërkesën e LVV-së për respektimin e rezultatit zgjedhor me kërkesën e LDK-së për balancë institucionale, atëherë mund të hapet rruga për një marrëveshje politike.

Në të kundërtën, mungesa e një kompromisi e lë të hapur skenarin e një krize të re institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme./Reporteri.net/