×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria ende në hetim të rastit të gjakovarit që u dërgonte foto e video pornografike fëmijëve

    Reporteri
    10 Prill 2019 | 13:02

    Katër vajza të mitura, të gjitha nën moshën 16-vjeçare për më shumë se një vit dyshohet se u shantazhuan përmes fotografive e videove të organeve gjenitale nga 44-vjeçari L.K nga Komuna e Gjakovës.


    Këto pamje burri nga Gjakova me profesion kasap ia dërgoi fëmijëve përmes Facebook-ut, ndërkaq, i njëjti pati thënë se krejt këtë e kishte bërë vetëm për qejf pa e ditur se përbënte vepër penale. Fajin e ka pranuar edhe para prokurorisë në Prishtinë, ndërkaq, lënda ka pak ditë që është transferuar në Prokurorinë e Gjakovës. Nga kjo prokurori kanë bërë të ditur për Expressin se fajin L.K e ka pranuar edhe para prokurorit të rastit.

    Dy muaj më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte pranuar kallëzim penal kundër L.K, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”.

    Një ditë më vonë, në shtëpinë e të dyshuarit në Gjakovë ishte kryer edhe një bastisje me urdhër të prokurorisë.

    44-vjeçarit atë ditë i kishin sekuestruar telefonin me të cilin dyshohet se për një periudhë një vjeçare 2017-2018, kishte përcjellë video dhe foto me përmbajtje pornografike te disa vajza të mitura.

    Organet e hetuesisë nuk e patën të vështirë me L.K pasi që për atë se çka kishte bërë ishte rrëfyer menjëherë, megjithatë duke dhënë një arsyetim.

    Pas arrestimit, 44-vjeçari kishte pranuar para prokurorisë në Prishtinë se kishte nisur foto dhe video me përmbajtje pornografike nën arsyetimin se këtë e ka bërë për qejf e kur kishte kohë të lirë, pa e ditur se po bënte vepër penale.

    Rasti i L.K ka pak ditë që është transferuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës. Duke folur për Gazetën Express nga kjo prokurori kanë bërë të ditur se i dyshuari ka pranuar se ka dërguar përmbajtje të tilla te vajza të mitura për një periudhë 1 vjeçare.

    “Periudha kohore me të cilin i dyshuari ka dërguar këto përmbajtje është nga viti 2017 deri në fund të vitit 2018, dhe bëhet fjalë për 4 vajza të mitura nën moshën 16 vjeçare”, thuhet për përgjigje të prokurorisë, teksa saktësohet se për çfarë pamje bëhet fjalë.

    “Bëhet fjalë për video dhe fotografi të organeve gjenitale të të pandehurit, dhe i njëjti ka pranuar se ka komunikuar me të në rrjetet sociale”, shtohet tutje.

    Nga kjo prokurori kanë bërë të ditur se me rastin po merret prokurori për të mitur.

    Mësohet se bëhet fjalë për katër vajza me të cilat ai kishte komunikuar në gjuhën çeke.

    Vetë, 44-vjeçari kishte rrëfyer se kishte dërguar pamjet për të cilat po hetohet në periudhë një vjeçare.

    Krejt këtë histori, babai i dy fëmijëve po e pranon, madje, duke dhënë edhe detaje se sa kishte zgjatur komunikimi me to, për sa persona bëhet fjalë e me çfarë gjuhe kishte komunikuar me të njëjtat.

    “Po dyshojnë për bisedime me të hujt që kam bisedu. Po, e kam pranu që kam bisedu. Një vit ka zgjatë koha sa kam bisedu, nuk e di sa vajza kanë qenë të përfshira”, shton ai. Përveç përfshirjes në biseda, ai po thotë se u ka dërguar edhe video intime e këtë e ka bërë vetëm për qejf.

    “Ju kam dërgu, edhe më kanë dërgu. Jo, veç për qejf kam fol me to, humbje kohe”, kishte thënë L.K., por, duke shtuar se nuk e ka ditur se në çfarë moshe ishin personat te të cilët niste foto e video pornografike.

    “Aty për moshën s’e kam kshyr valla, veç ato po thonë se kanë qenë të mitura. Me siguri ato më kanë raportu në polici. As që e kam ditë, as që m’ka interesu për moshën me ditë, po veç hajt qaty”, vazhdon ai, duke shtuar se krejt ky rast është marrë vesh edhe nga të afërmit e familja pas arrestimit.

    “Po, e kam pranu rastin, kam tregu drejt”, thotë shkurtimisht, duke iu përgjigjur pyetjes se a e ka menduar se ato që ua ka dërguar ishin me përmbajtje shqetësuese, duke thënë se sigurisht, përderisa ato e kanë denoncuar rastin. Kontaktet me vajzat, për të cilat thotë se nuk e ka ditur sa vjeçare ishin, i kishte bërë gjatë ditës dhe në gjuhën çeke.

    “Ditën kemi bisedu, kanë qenë disa persona. Kemi komunikuar në gjuhë çeke, nuk ka pasë ndonjë kosovare të përfshime, nuk ka pasë shqiptare. Nuk e di gjuhën, kemi biseduar me Google Translate”, deklarohet ai, duke shtuar se këto biseda i kishte bërë deri në fund të vitit 2018.

    Në fund, ai kishte thënë se nuk e ka ditur se dërgimi i fotove dhe videove përbën vepër penale e këtë punë ia ka lënë në dorë drejtësisë.

    Vajzat e mitura te të cilat i njëjti kishte nisur pamje me përmbajtje pornografike kishin raportuar rastin në rrjetin social Facebook.

    Kështu për një kohë llogaria e L.K ku ai ka fotografitë personale e madje edhe ato familja u hetua, derisa për të u lëshua fletë arrest.

    Në njërën nga llogaritë e tij në Facebook nga tre sa janë me emër e mbiemër të burrit nga Gjakova, figurojnë një numër i madh i vajzave të mitura me të cilat ai ka miqësi virtuale.

    Vetëm në vitin e fundit janë raportuar shtatë raste si keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.

    Sipa Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shprehja “pornografi me fëmijët” nënkupton çfarëdo pamje vizuele apo shfaqje ose pasqyrim vizuel, duke përfshirë çdo fotografi, film, video, pamje apo imazh ose fotografi e krijuar me kompjuter, qoftë nëse është krijuar në mënyre elektronike, mekanike apo me mjete tjera, që paraqet ose pasqyron:

    7.1. gjenitalet (vagina, penisi ose anusi) apo zonën e ashtit mbivetor të një fëmije, kryesisht për qëllime seksuale;

    7.2. një fëmijë të vërtetë i cili është përfshirë në një sjellje seksualisht eksplicite të vërtetë apo të simuluar;

    7.3. një person i cili duket të jetë fëmijë i vërtetë i përfshirë në një sjellje seksualisht eksplicite të vërtetë apo të simuluar; ose

    7.4. pamje realiste të një fëmije joekzistues të përfshirë në një sjellje seksualisht eksplicite të vërtetë apo të simuluar.

    Kodi Penal
    Sipas Kodit të Ri penal që ende nuk ka kaluar në lexim të dytë në Kuvend për pedofilinë parashihet në disa raste edhe dënim me burgim të përjetshëm.

    Përmes Facebook-ut, të gjithë përdoruesve iu jepet mundësi që t’i raportojnë përmbajtjet të cilat i konsiderojnë seksualisht të papërshtatshme, njësoj siç ndodhi edhe në rastin e burrit nga Gjakova.

    Ndryshe, keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi si në rastin konkret, identifikohet si çrregullim mendor që haset te personat 16 vjeç e lart, të cilët karakterizohen nga një interes seksual parësor e ekskluziv ndaj fëmijëve të moshës së para pubertetit ose pubertetit të hershëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!