Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj ka kritikuar dy ministrat për shmangie të përgjegjësisë politike, duke theksuar se Gërvalla-Schwarz, ndonëse ka pranuar dështimet institucionale, nuk ka marrë përgjegjësinë që i takon asaj si ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.

“Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqje të ministrave përgjegjës, hetim të plotë të çdo dështimi dhe veprim urgjent për mbrojtjen e jetës. Sepse Arlinda e pagoi me jetë dështimin e mbrojtjes. Asnjë funksion, asnjë post dhe asnjë pushtet politik nuk vlen më shumë se jeta e një qytetareje të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Reklamë

Deputetja e PDK-së i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’u kërkojë dorëheqjen dy ministrave, ndërsa në rast se ata refuzojnë, t’i shkarkojë.

Ajo ka theksuar se ndarja e pushteteve nuk mund të përdoret si arsyetim për t’iu shmangur përgjegjësisë, duke rikujtuar se koordinimi kombëtar për mbrojtjen nga dhuna kërkon identifikimin e mangësive dhe sigurimin e funksionimit të mekanizmave institucionalë.

Kabashi-Ramaj ka paralajmëruar se PDK-ja do të angazhohet përmes komisionit hetimor për zbardhjen e plotë të përgjegjësive institucionale në këtë rast.

Duke iu referuar gjetjeve të bëra publike nga Inspektorati Policor i Kosovës, ajo ka përmendur disa dështime, përfshirë moszbatimin e një urdhri mbrojtjeje, vonesat në ekzekutimin e një urdhri tjetër, mosshqyrtimin e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mungesën e masave të nevojshme për sigurinë e viktimës.

“Arlinda nuk kërkoi privilegj. Kërkoi atë që Kushtetuta dhe ligjet ia garantojnë çdo qytetari: mbrojtjen e jetës dhe sigurinë. Prandaj, sot kërkojmë përgjigje: Kush e dinte? Kur e dinte? Kush kishte detyrimin të vepronte? Dhe pse nuk veproi?”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Reklamë

Ajo është ndalur edhe te dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, duke vlerësuar se ky veprim nuk e përjashton ministrin Xhelal Sveçla nga përgjegjësia politike për drejtimin e institucionit.

Sipas saj, përgjegjësia e Hoxhës duhet të shqyrtohet deri në fund, por ajo nuk mund të shërbejë si arsye që përgjegjësia të ndalet te drejtuesi i Policisë.

“Ministri nuk është penalisht përgjegjës për çdo veprim të një zyrtari policor. Por është politikisht përgjegjës për politikat, kushtet dhe drejtimin institucional në fushën që e udhëheq”, ka theksuar deputetja e PDK-së.

Si shembull të keqmenaxhimit në këtë institucion, ajo ka përmendur edhe anulimin e ceremonisë së diplomimit të 300 policëve të rinj, për shkak të mungesës së uniformave.

Reklamë

“Nuk mund t’i marrësh meritat për sukseset dhe t’ua lësh vartësve të gjithë përgjegjësinë për dështimet!”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Kabashi-Ramaj ka thënë se siguria e grave dhe vajzave duhet të jetë përgjegjësi themelore e shtetit, duke kërkuar që rasti i Arlinda Zekajt të mos përfundojë vetëm me raporte për dështimet institucionale, por të pasohet me përgjegjësi konkrete.

“Mjaft me arsyetime pas tragjedive! Mjaft me raporte që identifikojnë dështime, por nuk sjellin përgjegjësi! Mjaft me institucione që reagojnë vetëm pasi një grua ka humbur jetën!”, ka përfunduar ajo.