Burgim për prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët që u morën me rastin e Arlinda Zekajt, gruas që u vra nga ish-kunati në Vitomiricë të Pejës të dielën, kanë kërkuar qytetarët që protestuan në ditën e katërt në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.
Protestuesit po ashtu po kërkojnë shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe atij të Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri.
Në mesin e protestuesve ishte edhe një qytetarë që mbante një pankartë me të cilën kërkohej shkarkim, ndjekje penale dhe burgim për kryeprokuroren tashmë të suspenduar të Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit, Suada Rama-Hamza, kryetarin e Gjykatës, Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukajn dhe çdo zyrtar/e tjetër të përfshirë.
Po ashtu si pikë e dytë është shkarkimi i Sveçlës, Gërvallës dhe dorëheqja e Muhaxherit.
Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga qytetarët kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në fund drejt ndërtesës së Qeverisë.
Protestuesit kanë hedhur tym të kuq para objektit të Qeverisë.
Më pas kanë vendosur ulëse në rrugë para Këshillit Prokurorial të Kosovës.
/Reporteri.net/.