Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas përleshjeve të mbrëmshme mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve në sheshin “Skënderbeu”, duke i cilësuar pamjet e krijuara si të dhimbshme.

Rama tha se institucionet duhet të garantojnë të drejtën e qytetarëve për protestë dhe se një incident i shkaktuar nga individë nuk duhet të përdoret për ta delegjitimuar një protestë të tërë.

“Protestuesit janë veteranët tanë, fëmijët e tyre dhe qytetarët e Kosovës. Kërkojnë drejtësi dhe mbajnë me krenari emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Rama.

Reklamë

Ai tha se pamjet e protestuesve të lënduar dhe atyre që morën trajtim në QKUK janë shqetësuese dhe kërkoi sqarim e përgjegjësi për zhvillimet e mbrëmshme.

“Pas secilës pamje është një njeri, një familje e shqetësuar, dikush që doli për të kërkuar drejtësi dhe përfundoi i shtrirë, i rrahur dhe i fyer nga policia e shteti i vet. Këto pamje kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi!”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar se ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj protestave dhe qytetarëve.

“Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë”, shkroi Rama.

Duke iu referuar deklaratave të mëhershme të Kurtit për përdorimin e veturave të zeza nga zyrtarët, Rama tha se kryeministri dhe deputetët e tij mbrëmë u larguan nga sheshi me vetura të tilla.

Reklamë

“Albin Kurti dikur mbajke ligjërata për xhipat e zinj dhe bërtiste: ‘Pse po frikësoheni nga populli?’. Mbrëmë, ai dhe të gjithë deputetët e tij ikën nga ky popull me qata xhipa të zi!”, shkroi Rama.

Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos përdorin Policinë e Kosovës si përgjigje ndaj pakënaqësisë qytetare.

“Mos e ktheni policinë në përgjigje ndaj dështimit tuaj politik. Merrni përgjegjësi dhe gjeni zgjidhje. Mandati juaj është për të qeverisur për popullin, jo për ta sulmuar atë me forcë!”, tha Rama.

Në fund, ai theksoi se sheshet u përkasin qytetarëve dhe kërkoi që policia të mos përdoret kundër protestuesve.

Reklamë

“Mos e urdhëroni Policinë kundër popullit”, përfundoi Rama.