28 vite më parë, mbi 8 mijë burra, djem dhe gra boshnjake u vranë në atë që njihet si Masakra e Srebrenicës. Gjenocidi që pati për objektiv popullsinë myslimane të vendit u krye nga forcat serbo-boshnjake, edhe me ndihmën e ish-Jugosllavisë. Kujtimi i viktimave nderohet sot në qendrën përkujtimore të Potoçarit në Srebrenicë.

Gjenocidi që nisi më 11 korrik 1995 konsiderohet si një nga më të rëndët në historinë moderne europiane.

Ai solli vdekjen e mbi 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë të moshës 12 deri 77 vjeç, të përndjekur nga fillimvitet 90 kur nisën konfliktet etnike në vend.

Reklamë

Ata u vranë masivisht nga forcat serboboshnjake nën urdhrat e Ratko Mladiç, me mbështetjen edhe të ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviç dhe homologut serboboshnjak, Radovan Karaxhiç, të dënuar më vonë për krime lufte.

Trupat e viktimave u hodhën nëpër varre masive dhe pyjet përreth dhe identifikimi i tyre vazhdon edhe sot.

Aktualisht aty janë varrosur eshtrat e mbi 6,600 viktimave të gjenocidit serb, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë mbeten të zhdukur.