×
  • Lajme
  • Rajon

    Brenda muajit në Serbi vdiqën 17 refugjatë

    Reporteri
    17 Dhjetor 2021 | 14:47

    Brenda vetëm një muaji, 17 refugjatë dhe migrantë vdiqën gjatë tentimit për të arritur në vendet e Bashkimit Evropian, përmes Serbisë, deklaroi komisari serb për Refugjatë dhe Migrantë, Vlladimir Cuciq.

    Fatkeqësia e fundit ndodhi më 13 dhjetor në Hungari, afër kufirit me Serbinë kur një veturë me targa serbe, në të cilën kishte refugjatë dhe migrantë, pësoi aksident pasi ngasësi refuzoi të ndalej për kontroll policore.

    Në këtë aksident vdiqën shtatë persona ndërsa katër u lënduan.

    Paraprakisht, tre të mitur vdiqën e 19 perosna të tjerë u lënduan në nëntor në juglindje të Serbisë, kur një kombibus i cili po ashtu barte migrantë pësoi aksident.

    “Kur shihni numrin e të vdekurve është krejtësisht e qartë sesa dëshpëruese është dëshira e tyre për të vazhduar rrugën”, shtoi Cuciq para gazetarëve, transmeton REL.

    “Çfarëdo çmimi qoftë”, komentoi ai.

    Numri i të lënduarve sipas tij, të cilët pësojnë nga ana e policisë kufitare të shteteve në të cilat tentojnë të hyjnë, megjithatë ka rënë.

    “Njerëzit, të cilëve në këtë apo atë mënyrë u pamundësohet kalimi i kufirit janë përditshmëri. Aktualisht janë rreth 40 të cilët kanë lëndime serioze të shkaktuara gjatë tentimit për të kaluar kufirin, por është shifër shumë më e vogël nga më herët”, shtoi Cuciq.

    Cuciq përmendi që më së shumti njerëz të cilët tentojnë të kalojnë kufirin në mes të Serbisë dhe Hungarisë, Rumanisë apo Kroacisë janë nga Afganistani dhe Siria.

    Autoritetet në Serbi, përpiqen të arrestojnë trafikantët me ndihmën e të cilëve migrantët tentojnë të arrijnë tek shtetet e Bashkimit Evropian.

    Më 10 nëntor, në Serbi u arrestuan shtatë persona nën akuza për trafikim të qenieve njerëzore. Në shtator u arrestuan pesë nën dyshimin që për 6 mijë deri në 10 mijë euro ndihmuan së paku 15 migrantë të kalojnë nga territori i Serbisë në Kroaci dhe tutje në Austri e Gjermani.

    Në gusht u arrestuan katër nën dyshimin që me migrantë, kaluan kufirin ilegalisht.

    Që nga fillimi i krizës me migrantë në vitin 2015, nëpërmes Serbisë, sipas të dhënave të Komisariatit për Refugjatë, kaluan më shumë se 1 milion njerëz.

    Në 13 qendra për azil në Serbi aktualisht janë vendosur 4.578 persona prej të cilëve 322 fëmijë.

    Më së shumti njerëz ka nga Afganistani (35%), Siria (22%), Bangladeshi (11%) dhe Pakistani (7%).

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!