Në nivelin tripalësh presidencial, situata ngjau të jetë më premtuese. Dy anëtar jonacionalistë të presidencës, si Denis Beçiroviç nga pala boshnjake dhe Zheljko Komshiç nga pala kroate, konfirmuan fitore –  ndryshe nga ajo serbe, ku kandidatët nacionalistë s’kanë munguar asnjëherë, si dhe ku anëtarja e partisë së liderit nacionalist, Milorad Dodik, Zheljka Cvijanoviç u zgjodh anëtare serbe e Presidencës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Presidenca tripalëshe e Bosnje-Hercegovinës, institucion i cili udhëheq politikën e jashtme të shtetit, ndonëse me konsensus (vështirë të arritshëm për shkak të obstruksionin serb pro-rus), në pamje të parë duket të jetë premtues dhe e orientuar drejt Perëndimit, e jo Rusisë.

Megjithëkëtë, bazuar në 70% të votave të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të BeH-së gjendja është pothuasjes e njëjtë. Partitë nacionaliste nga tri-popujt përbërës (boshnjakë, kroatë, serbë) do të dominojnë asambletë nacionale dhe rajonale.

Reklamë

Bakir Izetbegoviç, lideri i SDA-së nacionaliste i cili ka udhëhequr me boshnjakët e BeH-së pësoi disfatë nga kandidati i SDP-së së Denis Beçiroviç, politkan jonacionalist, i cili qe mbështetur nga 11 parti qytetare. Izetbegoviç korri vetëm 37.84% të votave bazuar në 86% të votave të numëruara.

Bëhet që për herë të parë një Anëtar boshnjak i Presidencës, si Denis Beçiroviç, të jetë një politikan që nuk përfaqëson parti etno-nacionaliste. Por, pavarësisht kësaj, SDA e Izetbegoviçit, marrë individualisht, është partia më e madhe boshnjake.

Zheljko Komshiç, lideri i Frontit Demokratik, siguroi mandatin e tij të katërt presidencial duke mposhtur Unionin Demokratik të Kroatëve të Bosnje-Hercegovinës (HDZ BiH), gjë që nuk e la aspak të lumtur Zagrebin zyrtar, i cili dëshiron që Anëtari kroat i Presidencës të derivojë ekskluzivisht nga HDZ BiH, dhe që Komshiçin nuk e njeh për përfaqësues legjitim të popullit kroat të BeH-së.

Të menjëhershëm ishin reagimet e kryedidplomatit dhe presidentit kroat në lidhje me rezultatet e konfirmuara, ku që të dy, Gordan Grliç Radman dhe Zoran Millanoviç, thanë se Komshiç nuk mund të jetë partner i Zagrebit ngase është votuar me vota të boshnjakve.

“Përsëri shprehim zhgënjimin tonë me rastin e mbivotimit ndaj kroatëve, që në kuptimin afatgjatë dëmton qëndrueshmërinë institucionale dhe marrëdhëniet e ardhshme me Bosnje-Hercegovinën. Zoti Komshiç u zgjodh për të katërtën herë nga votat e popullit boshnajk, dhe ai është Anëtar kroat i Presidencës”, u ka thënë gazetarëve kroatë Grliç Radman.

Reklamë

Zgjedhja e Cvijanoviçit nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), e cila menaxhohet nga Milorad Dodik, ishte e pritshme dhe pas votimit, ajo tha se, si më parë, do të “punoj në interes të Republika Srpska-s dhe të qëndrojë në linjë me koncepti aktual politik”.

“Nuk jam dakord që në Presidencë të mos ketë anëtarë të opsioneve kombëtare, sepse nuk besoj se ka ndonjë strukturë në BeH që nuk trashëgon atë që nuk është kombëtare në programin e saj”, tha Cvijanoviç.

Dodik sërish në krye të “Republika Srpaka-s”?

Në “Republika Srpska”, SNSD e Dodik dhe Partia e Progresit Demokratik (PDP-SDS) e Jelena Triviç shpallën fitoren përkatësisht në garën për presidente dhe president të njësisë së “Republika Srpska”.

Dodik tha se ndihet krenar që ka qenë kandidat në zgjedhje dhe që është zgjedhur president. Ai pretendoi se “Republika Srpska” ka treguar pjekuri demokratike dhe se kjo është “një arritje e madhe e popullit serb”.

Reklamë

Ai shtoi se “Republika Srpska” do të jetë stabile dhe do të udhëheqë politikën e saj dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerë si Serbia, Rusia dhe Hungaria, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në fjalimin e saj të së dielës në mbrëmje, Triviç deklaroi gjithashtu fitoren. “Unë do të jem presidente e të gjithë qytetarëve. Nën këtë flamur ka vend për të gjithë. Ne do të merremi me korrupsionin dhe krimin. Ky është vetëm fillimi i fitoreve”, tha Triviç.

Sipas rezultateve jo të plota të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbrëmë, Dodik ishte para Triviçit me mbi 28 mijë vota. Për përfaqësuesit në Asamblenë Kombëtare të “Republikës Srpska”, SNSD fitoi deri tani numrin më të madh të votave.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, siç raportohet nga Reuters, thanë se zgjedhjet ishin kryesisht paqësore, por paralajmëruan se ndarjet etnike dhe retorika agresive përçarëse ende mbizotëronin.

Reklamë

“Është e një rëndësie vendimtare për të kapërcyer hendekun midis grupeve etnike,” tha për Reuters Stefan Senach, kreu i misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Duke komentuar rezultatet për Deutsche Welle, analistja politike nga Sarajeva, Ivana Mariç, tha se “zgjedhjet do të sjellin ndryshime vetëm nëse prishet koalicioni HDZ, SDA, SNSD në nivel shtetëror dhe SDA dhe HDZ në nivel entiteti”. Ajo tha se do të ishte më mirë nëse qeveria do të mund të formohej pa koalicionet e gjata në pushtet të HDZ BiH, SDA dhe SNSD.

Ndërhyrja e Përfaqësueses së Lartë

Reuters theksoi se Bosnja mbetet një shtet jofunksional pothuajse tre dekada pas luftërave shkatërruese, dhe të dielën në mbrëmje, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schimdt, përsëri përdori “Fuqitë e Bonit” dhe njoftoi ndryshime-amendamente në Ligjin Zgjedhor dhe Kushtetutën e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Thelbi i ndryshimeve i referohet afateve për formimin e autoriteteve në Federatën e BeH.

Schmidt shpjegoi se këtë vendim e ka vendosur për të përmirësuar funksionalitetin e institucioneve dhe për të mundësuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet. Ai shtoi se ndryshimet nuk do të ndikojnë në votat e qytetarëve në zgjedhjet e mbajtura të dielën. “Këto janë zgjedhjet tuaja. Ato nuk i referohen zgjedhjeve të mbajtura, por negociatave paszgjedhore për koalicionet partiake”, tha Schmidt.

Reklamë

Formalisht, arsyeja pse Schimdt mori këtë vendim është për të parandaluar një përsëritje të praktikës së politikanëve kroatë që bllokojnë formimin e një qeverie të re dhe kërkojnë ndryshime në Ligjin Zgjedhor, prandaj negociatat mes partive boshnjake dhe kroate kanë dështuar vazhdimisht. Politikanët kroatë kërcënuan me bllokadë nëse Komshiç zgjidhej.

Ndryshimet shfuqizojnë mekanizmat bllokues dhe vendosin afate për emërimin e deputetëve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ky vendim rriti edhe numrin e delegatëve në Dhomën e Popullit të Federatës. Kombet përbërëse, boshnjakët, serbët dhe kroatët, do të kenë 23 në vend të 18 delegatëve. Gjithashtu, çdo popull përbërës do të zgjedhë të paktën një përfaqësues në çdo kanton për Dhomën e Popullit.

Andreas Shider, kreu i misionit të monitorimit të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, kritikoi masën, duke thënë se ajo shihej si “minim i demokracisë dhe institucioneve të Bosnjës”.

Delegacioni i BE-së në BeH është shkëputur nga vendimi i Kristijan Šmit me një mesazh se “pendohet thellë” për shkak se çështja e reformës zgjedhore nuk është zgjidhur në dialogun mes partive politike./Reporteri.net/