×
  • Lajme
  • Rajon

    Dhjetëra arrestime në Mal të Zi të dyshuar për spiunë rusë

    Reporteri
    29 Shtator 2022 | 14:32

    Dhjetëra arrestime të spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi janë  në proces e sipër, lajmëroi krydiplomati malazez, Ranko Krivokapiç, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Krahasuar me madhësinë territoriale dhe demografike të Malit të Zi, kjo është një prej arrestimeve më të mëdha në një vend të NATO-s, ka thënë Krivokapiç.

    Sipas disa informacione jozyrtare që citon Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, në këtë aksion arrestimesh të kryer nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) [e Malit të Zi] si dhe Prokurori Special i Shtetit, ka qytetarë malaziasë, përfshirë zyrtarë të administatës shtetërore, si dhe qytetarë rusë në mesin e të arrestuarve.

    Se veprimi i ANB-së është kryer në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, e ka konfirmuar edhe kryeministri në mandat teknik Dritan Abazoviç, i cili në seancën e Qeverisë tha se qëllimi i saj ishte ruajtja e interesave kombëtare të Malit të Zi.

    Prokurori Special Vukas Radonjiç ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më herët gjatë ditës së sotme, më 29 shtator, se në Podgoricë janë duke u bërë bastisje me kërkesë të Prokurorisë Speciale për veprën penale të spiunazhit.

    “Policia po kontrollon banesat dhe ambientet e tjera të disa shtetasve, për dyshimin e bazuar se krimet e kryera janë krijim i organizatës kriminale dhe spiunazhi. Deri më tani nuk i është hequr liria askujt”, tha zëdhënësi i prokurorisë speciale, Vukas Radonjiç.

    Kujtojmë se më parë ANB njoftoi jozyrtarisht se shërbimet ruse fshiheshin pas një sulmi të fuqishëm kibernetik që çaktivizoi infrastrukturën shtetërore të IT, i cili filloi në fund të gushtit të këtij viti dhe pasojat e të cilit ende ndihen.

    Kryeministri Abazoviç nuk e konfirmoi atë informacion në atë kohë.

    Ekspertët nga Byroja Federale e Hetimeve të ShBA (FBI) ndihmuan Malin e Zi në hetimin e sulmeve kibernetike.

    Marrëdhëniet diplomatike midis Malit të Zi dhe Rusisë janë përkeqësuar që nga viti 2014, kur Podgorica mbështeti sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës për shkak të aneksimit të Krimesë.

    Mali i Zi iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe për shkak të pushtimit të Ukrainës, prandaj Rusia e etiketoi atë si një “shtet armik”.

    Podgorica zyrtare në gjysmën e fundit ka dëbuar gjashtë diplomatë rusë për, siç kanë thënë, aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!