Kroacia po shqyrton mundësinë e pezullimit të përkohshëm të një pjese të bashkëpunimit të saj me Izraelin, gjë që do të dërgonte një mesazh të qartë politik, tha Ministri i Jashtëm Gordan Grliq Radman, duke theksuar se nuk do të ishte një “prishje e dialogut”, por “presion politik”.

“Brenda diskutimeve që po zhvillohen në BE, Kroacia po shqyrton mundësinë e bashkimit me një numër gjithnjë e në rritje të shteteve anëtare që, duke pezulluar përkohësisht një pjesë të bashkëpunimit me Izraelin, duan të dërgojnë një mesazh të qartë politik”, tha Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, raportojnë mediat kroate.

Ai shpjegoi se ky është bashkëpunim brenda programit Horizon Europe, instrumenti kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e bashkëpunimit shkencor dhe inovativ.

Reklamë

Komisioni Evropian rekomandoi të hënën pezullimin e pjesshëm të pjesëmarrjes së Izraelit në programin e financimit të kërkimit Horizon Europe, duke paralajmëruar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar në Gaza.

Kroacia ishte më parë midis shteteve anëtare që nuk ishin në favor të pezullimit të marrëveshjes midis BE-së dhe Izraelit për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gaza.

Presidenti kroat Zoran Milanoviq më herët të shtunën i bëri thirrje qeverisë kroate të ndalojë tregtinë e armëve dhe pajisjeve ushtarake me Izraelin, njoftoi Zyra e Presidentit, duke shtuar se Milanoviq kishte urdhëruar ndërprerjen e bashkëpunimit ushtarak me atë vend në maj.

Kujtojmë se Presidenti kroat Zoran Milanoviq më herët sot i bëri thirrje qeverisë kroate të ndalojë tregtinë e armëve dhe pajisjeve ushtarake me Izraelin, njoftoi Zyra e Presidentit, duke shtuar se Milanoviq urdhëroi ndërprerjen e bashkëpunimit ushtarak me atë vend në maj.

“Meqenëse blerja dhe shitja e armëve dhe pajisjeve ushtarake është në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, Presidenti i Republikës i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kroacisë që të bëjë të njëjtën gjë dhe të ndalojë tregtinë e armëve dhe pajisjeve ushtarake me qeverinë aktuale të Shtetit të Izraelit”, tha zëdhënësi Nikola Jeliq.

Reklamë

Këtë javë, Sllovenia, si vendi i parë evropian që vendosi për një masë të tillë, miratoi një vendim për të ndaluar eksportin dhe tranzitin e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga ose përmes Sllovenisë në Izrael, ose importet nga Izraeli në Slloveni. /Reporteri.net/