×
  • Lajme
  • Rajon

    Investimet e huaja në Serbi: Kina ka kaluar BE-në me 491 milionë euro investime

    Reporteri
    24 Tetor 2022 | 16:22

    Në gjysmën e parë të vitit 2022, fluksi më i madh i investimeve të huaja në Serbi u regjistrua nga Kina në vlerë prej 491.5 milionë euro, nga BE-ja 401 milionë euro, nga Shtetet e Bashkuara 56.7 milionë euro dhe nga Federata Ruse 30.4 milionë euro.

    Sipas të dhënave paraprake për bilancin e pagesave të Bankës Kombëtare të Serbisë (NBS), në nëntë muajt e parë të vitit 2022, fluksi i investimeve të huaja direkte në Serbi arriti në 3,011 miliardë euro, që është pak më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur janë investuar 3.002 miliardë euro.

    “Është e rëndësishme të theksohet se pas ngadalësimit të përkohshëm të fluksit hyrës të investimeve të huaja direkte gjatë muajve mars dhe prill, trendi pozitiv nga viti rekord 2021 vazhdoi nga muaji maj. Zhvillime të tilla konfirmojnë se ngadalësimi i flukseve hyrëse ishte i përkohshëm dhe i shkaktuar nga goditjet fillestare pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë. Dhe gjatë këtij viti, investimet e huaja në Serbi janë diversifikuar në mënyrë produktive dhe gjeografike, kryesisht në kompani të orientuara nga eksporti”, u tha në një njoftim të Bankës Kombëtare të Serbisë.

    Sipas të dhënave të publikuara nga ‘NBS’, nga viti 2010 deri në tremujorin e dytë të vitit 2022, fluksi i investimeve të huaja direkte nga Bashkimi Evropian arriti në 19,204 miliardë euro, nga Kina (përfshirë Hong Kongun, Tajvanin dhe Macau) në 3,281 miliardë, nga Federata Ruse 2,473 miliardë dhe nga Shtetet e Bashkuara 733 milionë euro. Vitin e kaluar hyrja e investimeve të huaja direkte nga BE-ja ishte 1,762 miliardë euro, nga Kina (përfshi Hong Kongun, Tajvanin dhe Macau) 630,4 milionë, nga SHBA-të 105,6 milionë euro dhe nga Federata Ruse 39,9 milionë euro.

    “Duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e investimeve të huaja direkte në Serbi drejtohen në sektorët e tregtueshëm, shumica e investimeve nga këto vende ishin të përqendruara në kompanitë e orientuara nga eksporti, kryesisht në industrinë përpunuese dhe transportin. Gjithashtu, një pjesë e investimeve nga Kina dhe Rusia kishin për qëllim ndërtimin dhe nga BE-ja në sektorin financiar”, u tha në njoftimin e ‘NBS’, të transemtuar nga mediat serbe.

    Bojan Stanic, ndihmësdrejtor i Departamentit për Analiza Strategjike në Odën Ekonomike të Serbisë, thotë se Kina është vendosur si investitori i parë dhe po krijon një trampolinë për të ardhmen. Kina ka një projekt Belt and Road që ka natyrë globale dhe po ndërton infrastrukturë për ta mbështetur atë.

    “Para se marrëdhëniet me Perëndimin të tensionoheshin, Kina investoi shumë në Britani dhe Gjermani. Meqenëse Serbia nuk është anëtare e BE-së, dhe ne kemi marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në dhe Rusinë dhe një partneritet strategjik me Kinën, ata filluan të investojnë në Bor, Smederevë, Zrenjanin… Do të kishin investuar edhe në vende të tjera nëse kishte një qasje të tillë si këtu. Tek ne kontratat janë sekrete, ndërsa në Europë është shumë më e rregulluar”, thekson Stanic.

    Ai thekson se BE-ja është ende investitori kryesor nëse shikohen tre vitet e fundit, rreth 56 për qind e të gjitha investimeve vijnë nga atje.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar pak këtu, por duhet pasur parasysh që një pjesë e madhe e investimit të tyre vjen përmes Holandës sepse politika tatimore është më e favorshme atje. Për shembull, NCR, e cila punëson disa mijëra punëtorë, është një kompani amerikane, por ajo është e regjistruar si një kompani holandeze”.

    “Për krahasim, kompanitë ruse këtu punësojnë 2,000 punëtorë, dhe vetëm kompanitë gjermane punësojnë 40,000”, thotë Stanic. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!