Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) mblidhet për herë të dytë këtë muaj në përpjekje për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë për Bosnje e Hercegovinën.

Për Radion Evropa e Lirë është konfirmuar se mbledhja e PIC-ut është duke u zhvilluar në Sarajevë.

Në mbledhjen e parë, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor, shtetet anëtare nuk arritën të pajtoheshin për pasardhësin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, i cili ka njoftuar për largimin nga kjo detyrë pas pak më shumë se pesë vjetësh mandat.

Reklamë

Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian Antonio Zanardi Landi – i cili ka edhe mbështetjen e vendit të tij – shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në PIC kanë propozuar për këtë post diplomatin francez, Rene Trocaz.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se pret që Përfaqësuesi i ri i Lartë në Bosnje e Hercegovinë të marrë detyrën deri në fund të qershorit.

As SHBA-ja, as shtetet e tjera anëtare të PIC-ut, nuk kanë specifikuar se çfarë do të ndodhë me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në këtë afat, i cili nuk është detyrues.