Kroacia i dërgoi një notë proteste Serbisë për shkak të marrëdhënieve dhe trajtimit të qytetarëve të saj në atë vend.
Në këtë notë proteste, Kroacia ka kërkuar sqarim nga shteti serb për sjelljen ndaj pesë shtetasve kroatë në Serbi, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Notën, shkruan mediumi kroat Index.hr, e ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme, Gordan Grliq Radman.
“Ne do të dërgojmë një notë proteste, do ta informojmë delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd për veprimet e autoriteteve serbe dhe sjelljen e tyre në të cilën ata i vendosën qytetarët kroatë në pozitë poshtëruese”, tha ai.
“Ne do të mbledhim sistematikisht të gjitha rastet e keqtrajtimit të qytetarëve kroatë dhe do të informojmë Komisionin Evropian dhe Presidencën polake (BE) për këtë dhe, natyrisht, do të rishikojmë rekomandimin për udhëtimin e qytetarëve kroatë në Serbi,” shtoi ai.
Siç u bë e ditur, pesë qytetarë kroatë, përfaqësues të shoqatave joqeveritare që morën pjesë në punëtoritë e organizuara nga Erste Stiftung në Beograd, kaluan një pjesë të mirë të natës në policinë e Beogradit, e cila përfundimisht i dëboi nga Serbia dje në mëngjes dhe iu ndaloi hyrjen në vend për një vit.
Në vendimin që u është lëshuar si shkak i deportimit, janë cekur “arsyet për mbrojtjen e sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”./Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.