Autoritetet e Malit të Zi kanë ndaluar hyrjen e 87 shtetasve serbë, të cilët i kanë vlerësuar si rrezik potencial për sigurinë para samitit të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tivat.

Sipas policisë malazeze, grupi kishte mbërritur nga Serbia me një fluturim të kompanisë Air Serbia dhe iu nënshtrua kontrolleve të sigurisë në aeroportin e Tivatit. Pas verifikimeve, autoritetet vendosën t’i kthenin mbrapsht.

“Si pjesë e aktiviteteve që kanë synim mbajtjen e një mjedisi të sigurt, shërbimet e sigurisë kanë identifikuar persona me interes për sigurinë”, thuhet në deklaratën e policisë.

Reklamë

Sipas autoriteteve, agjencitë e sigurisë kanë mbledhur informacione që, sipas tyre, tregojnë se prania e këtyre personave në Mal të Zi do të mund të paraqiste rrezik për sigurinë e brendshme dhe atë kombëtare.

Policia bëri të ditur se gjatë kontrolleve janë gjetur pajisje komunikimi dhe banderola me mbishkrimin “Serbia fiton”, slogan i përdorur gjatë fushatës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Mediat në rajon raportojnë se në mesin e personave të ndaluar ka pasur edhe aktivistë të njohur pro-qeveritarë në Serbi, të cilët janë akuzuar më herët për sulme ndaj studentëve protestues kundër presidentit Vuçiq.

Po ashtu, policia malazeze ka njoftuar se disa prej personave të kthyer kanë precedentë penalë dhe kanë marrë pjesë në tubime publike që autoritetet i kanë cilësuar si ngjarje me rrezik të lartë.

Samiti i BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor pritet të zhvillohet të premten në Tivat, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë evropianë dhe liderëve të vendeve të rajonit.

Reklamë