Kompania “Novi Pazar-put”, e cila është në pronësi të biznesmenit kontrovers serb, Zvonko Veselinoviq, ka marrë sërish tender nga Serbia. Nga fillimi i vitit ka lidhur kontrata në vlerë prej gati gjysmë milioni euro, siç raportojnë mediat serbe.
Kompania “Novi Pazar-put” merret me ndërtimin e rrugëve dhe autostradave, por nuk është e njohur për opinionin e gjerë për shkak të projekteve që ka bërë, por për shkak të pronarit të saj. Medimi serb Nova raporton se kjo është firmë simotër e “Inkop”, kompani e cila është në pronësi të biznesmenit kontrovers Zvonko Veselinoviq, e cila ka 60 për qind të aksioneve, ndërsa 40 për qind të mbetur e mban vëllai i tij Zharko.
Pavarësisht se Zvonko Veselinoviq ka qenë i përfshirë në vepra të ndryshme kriminale – nga trafikimi i drogës, përfshirja në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, deri te nxjerrja e paligjshme e zhavorrit, dhe gjithashtu është nën sanksionet e Thesarit Amerikan, kjo nuk e ka penguar atë të bëjë biznes të mirë me shtetin serb.
Kompania “Novi Pazar-put” që nga fillimi i vitit ka marrë nga shteti serb para në vlerë prej gati gjysmë milioni euro, më saktësisht 439.700 euro, siç raporton ky medium.
Sipas raportimit, vetëm dhjetë ditë më parë, më 24 korrik, “Novi Pazar-put” mori kontratë nga Administrata Komunale e Komunës së Tutinit në Serbi. Kësaj radhe, vëllezërit Veselinoviq ishin të vetmit të interesuar për punën e rregullimit të rrugëve të qytetit dhe rrugëve lokale, kështu që kompania e tyre u shpërblye me kontratë në vlerë prej 3.5 milionë dinarë (30.000 euro) me TVSH.
Dy kontratat nga fillimi i vitit “Novi Pazar-put” i ka marrë nga “Rrugët” e PUK-së. Të dyja i ka marrë më 27 shkurt në procedurë të negociuar dhe kontratat janë “të mëdha”: përafërsisht 246 mijë euro.